English

Nata kur Hitleri dhe Stalini e ndanë Evropën

Pakti i quajtur sipas Fon Ribentropit dhe homologut të tij sovjetik, Molotov, synonte t'i japë Hitlerit duar të lira për të ashtuquajturin "problem polak" dhe, nëse do të duhej, t'i luftojë aleatët perëndimorë të Polonisë, Britaninë dhe Francën, pa u shqetësuar për intervenimin sovjetik dhe luftën në dy fronte

(Në foto: Moskë, 23 gusht 1939 - Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joakim Fon Ribentrop, duke nënshkruar paktin e mos-sulmimit)

Nga Robert Coalson

Para 70 vjetësh, Pakti Molotov-Ribentrop e ndau Evropën Qendrore dhe atë Veriore në sfera të influencës ndërmjet Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik.

Mbrëmjen e 23 dhe 24 gushtit, 1939, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joakim Fon Ribentrop, u takua në Kremlin me diktatorin sovjetik, Josif Stalin, dhe ministrin e Jashtëm, Vjeçesllav Molotov. Deri në agim, Gjermania e Hitlerit dhe Bashkimi Sovjetik e nënshkruan paktin e mos-sulmimit, një protokoll i fshehtë, i cili i vendosi "sferat e influencës" në Evropën Qendrore. Bota, e cila po rrëshqiste shumë shpejt drejt luftës, në mëngjesin e 24 gushtit u zgjua me lajmin shokues, se Gjermania e Adolf Hitlerit dhe Bashkimi Sovjetik i Josif Stalinit kanë nënshkruar paktin e mos-sulmimit.

Hitleri rrezatonte gëzim kur ministri i tij i Jashtëm, Joakim Fon Ribentrop, u kthye nga Moska me marrëveshjen në duar. "Emri i shokut të partisë Fon Ribentrop, si ministër i Jashtëm i Rajhut, përgjithmonë do të mbetet i shoqëruar me ngritjen politike të gjermanëve dhe kombit gjerman", tha Adolf Hitleri. Pakti i quajtur sipas Fon Ribentropit dhe homologut të tij sovjetik, Molotov, synonte t'i japë Hitlerit duar të lira për të ashtuquajturin "problem polak" dhe, nëse do të duhej, t'i luftojë aleatët perëndimorë të Polonisë, Britaninë dhe Francën, pa u shqetësuar për intervenimin sovjetik dhe luftën në dy fronte. Nga pikëpamja e Stalinit, qëllimi i paktit ishte që të blejë kohë për ta rindërtuar ushtrinë, e cila ishte shkatërruar nga spastrimet e viteve të 1930-ta dhe të përgatitet për atë që dukej përplasje e pashmangshme me Hitlerin. Por, kishte edhe një protokoll sekret përveç marrëveshjes publike, sipas të cilit dy diktatorët e ndanë Evropën Qendrore dhe Veriore në zona të influencës. Megjithëse qysh në fillim besohej se ekzistonte protokolli sekret, fjalët e sakta të tekstit nuk diheshin derisa aleatët e gjetën dhe e publikuan kopjen e mikrofilmit, e cila u mor nga arkivat gjermane. Një javë pas nënshkrimit të Paktit Molotov-Ribentrop, më 1 shtator 1939, forcat gjermane e sulmuan Poloninë, duke e nisur Luftën e Dytë Botërore. Më 17 shtator, Armata e Kuqe e Stalinit hyri në pjesët lindore të Polonisë. Në nëntor, Stalini e sulmoi Finlandën, e cila në bazë të protokollit të fshehtë kishte rënë në sferën sovjetike të influencës. Në qershor, 1940, sovjetët forcërisht vendosën qeveri pro-sovjetike në tre shtetet e Baltikut, qeveri të cilat kërkuan aneksimin në Bashkimin Sovjetik.Â

Në fund të qershorit, Stalini i pushtoi rajonet e Besarabisë dhe Bukovinës Veriore në Rumani. Në të gjitha territoret e pushtuara, Bashkimi Sovjetik ushtroi shtypje të rëndë politike, përfshirë ekzekutime dhe deportime në masë. Shumë pak dihen arsyet e arritjes së paktit ndërmjet dy diktatorëve. Sovjetikët pohonin se me vite të tëra përpiqeshin ta frenonin Hitlerin përmes marrëveshjeve të sigurisë kolektive me fuqitë e Perëndimit, por thoshin se Britania dhe Franca nuk përgjigjeshin. Riçard Overi, profesor i historisë në Universitetin Ekseter dhe autor i librave të shumtë për luftën, thotë se kjo pikëpamje dominon edhe sot në Rusi. "Historianët rusë, jo të gjithë, kanë vazhduar ta mbajnë këtë pikëpamje, sepse u përshtatet të shohin se Bashkimi Sovjetik mund ta kishte ruajtur paqen dhe se Britania dhe Franca ishin përgjegjëse për dështimin. Bashkimi Sovjetik ka kalkuluar se do të ishte më mirë që britanikët dhe francezët t'i luftonin gjermanët, e jo sovjetikët", thotë Overi. Por, historianët e Perëndimit dhe popujt e Evropës Qendrore synojnë ta vënë theksin te ajo që ndodhi pas marrëveshjes, te copëtimi faktik i Polonisë ndërmjet Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik, si dhe te krijimi i sferës së influencës brutale sovjetike në mbarë Evropën Qendrore. Overi thotë se traktatin e bënë të mundur ngjashmëritë ndërmjet dy diktatorëve. "Shumë gjëra i bashkojnë dhe kjo e bëri të mundur që Hitleri të arrijë marrëveshje me Stalinin. Ai ndjeu se e kuptoi diktatorin tjetër, i cili ishte po aq i vrazhdët sa ai. Por, në mendjen e Hitlerit, gjithmonë ka qenë ideja se përkundër kësaj, konfrontimi përfundimtar me Stalinin ishte i pashmangshëm", pohon Overi. Përveç kësaj, Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik u ndjenë thellë të zemëruara nga zgjidhjet politike pas Luftës së Parë Botërore. Historiani i diplomacisë ruse, Sergei Sluh, thotë se kjo kishte rol në fillesën e traktatit Molotov-Ribentrop. "Siç e dini, Rusia sovjetike dhe Gjermania ishin ndër humbësit e Luftës së Parë Botërore. Gjermania ishte e mundur. Në Rusi po ndodhnin ndryshime të thella socio-ekonomike, të cilat e kthyen Rusinë kundër botës". "Kësisoj, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve me pjesën tjetër të botës kishin karakter shumë specifik. Kishte pohime shumë serioze kundër njëri-tjetrit, por gjëja kryesore ishte se Rusia sovjetike nuk kishte asnjë marrëdhënie me fuqitë kryesore të botës", thotë Sluh. Këta faktorë i shtynë dy diktatorët në një pakt, i cili për të dy ishte një aleancë e përkohshme. Fundja, Ribentropi vetëm e shtyu konfliktin e pashmangshëm ndërmjet Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik. Në qershor, 1941, Hitleri e shkeli paktin dhe ndërmori ofensivë masive të befasishme në lindje. Bashkimi Sovjetik e pagoi pjesën më të madhe të kostos së mundjes së fashizmit, me të paktën 20 milionë të vrarë, 14 për qind të popullsisë që kishte para luftës, krahasuar me rreth 9 për qind në Gjermani. Por, kur lufta përfundoi dhe Armata e Kuqe ishte në Berlin, ëndrra e Hitlerit për një komb të plotfuqishëm gjerman u bë pluhur e hi. Në vend të saj, dominimi sovjetik i Evropës Qendrore, i cili u skicua në Kremlin në natën ndërmjet 23 dhe 24 gushtit, 1939, ishte bërë realitet i ri gjeopolitik i kontinentit.

Â

KOMENTE