Një bashkëpunim i agjencive NOA dhe INA
Shkup, 21 Gusht NOA/INA - Pas publikimit të historisë së Arjeta Alilit së cilkës iu mohua e drejta e studimit në vendin fqinjë, qeveria shqiptare ka reaguar duke akorduar për adoleshenten shqiptare një bursë studimi.
Sensibilizimi nisi nga gazeta në Shkup "24 orë" dhe më tej në agjencitë e lajmeve INA dhe NOA duke u përcjellë gjerësisht në mediat e dy vendeve.
Ata shprehën shqetësimin për fatin e nxënëses së shkëlqyer shqiptare nga Shkupi, Arjeta Alili, të cilës iu refuzua dhënia e bursës së shkollimit nga ana e Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë.
Si "kundërpërgjigje", kabineti i kryeministrit shqiptar Sali Berisha i ka ofruar një bursë studimi maturantes shqiptare.
Por si u arrit kurorëzimi i këtij misioni që demaskoi diskriminimin institucional në Maqedoni ndaj talenteve shqiptare dhe në anën tjetër ndërhyrjen urgjente të Qeverisë shqiptare për t'i dalë në ndihmë talentes shqiptare nga Shkupi.
Ardian Mehmeti: "Kërkojmë ndihmë nga Tirana zyrtare dhe kryeministri Sali Berisha. Nuk na ka mbetur rrugë tjetër. Nuk e ndjejmë veten si shtetas të këtij vendi ku jetojmë si kafshë, pa asnjë të drejtë të vetme".
Këto fjalë të talentes dhe nxënëses së shkëlqyeshme nga Shkupi, Arjeta Alili dhe babait të saj Fatmirit, kanë sjellë lajmin më të gëzuar për familjen Alili, kur nga Tirana zyrtare, gjegjësisht kabineti i kryeministrit Sali Berisha na u kumtua se do ti jepet bursë shkollimi, nxënëses së shkëlqyer nga Shkupi.
Tafaj: Në emër të Berishës, keni bursën e siguruar
Myqerem Tafaj, këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha pohoi se qeveria shqiptare ka vendosur të marrë masa për të mos lënë pa studime vajzën nga Maqedonia që kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejtë, bursë studimi nga Sali Berisha.
Arjeta Alili nga Shkupi, një nxënëse e talentuar dhe e shkëlqyer me dhjetëra certifikata dhe diploma, mbi tetë muaj që lufton për të kërkuar të drejtën e një burse në Ministrinë e Arsimit të Maqedonisë. 15 vjeçarja këtë vit përfundoi shkollën e mesme dhe iu refuzua bursa nga institucionet maqedonase.
Arjeta: Kurrë nuk kemi qenë më të gëzuar
Familja Alili thotë se kurrë në jetë nuk ka qenë aq e gëzuar, kur ka mësuar lajmin nga redaksia e "24 orë" se do të sigurohet bursa nga shteti shqiptar. "O Zot, jemi shumë të emocionuar dhe kjo është një ditë e veçantë në jetën tonë familjare. Kryeministrin Berisha nuk dimë se si ta falënderojmë për këtë vepër aq të madhe kombëtare dhe humane për ne", - janë rrëfimet e përshkruara me lot në sy tek Arjeta dhe babai i saj, i cili thotë se është kontaktuar nga kryeministria shqiptare dhe i ka dorëzuar të gjitha të dhënat e kërkuara. Ai është këmbëngulës që vajza e tij të realizojë dëshirën e saj për tu shkolluar në Tiranë. "Le ta shohin turpërisht këtë vepër zyrtarët tanë injorantë dhe poshtëruar pranë institucioneve në Shkup. Na diskriminuan rëndë njerëzit e Gruevskit dhe shërbëtorët aktual shqiptar, por shyqyr që kemi tani ku të ankohemi", - ka theksuar Fatmir Alili.
Si i përjetoi Arjeta, pritjet nën ankth
Arjeta në deklaratën e parë për "24 orë" sqaroi se në konkursin për bursa të shpallur nga Ministria e Arsimit e Maqedonisë kishte aplikuar përmes internetit dhe i kishte plotësuar kushtet duke iu pranuar edhe aplikacioni.
"Mirëpo kur doli rezultati u befasova, emri im nuk figuronte në listë. Vetë zyrtarë të ministrisë më thanë se është absurde dhe se mua më takon bursa. Por ndodhi e kundërta, edhe pas disa kërkesave dhe lutjeve me shkrim nuk mora përgjigjen e premtuar", rrëfen e Arjeta, e cila e jeton në familjen e saj tetë anëtarëshe në kushte tejet të vështira ekonomike. Përjetimi më i keq për 15 vjeçaren ka qenë dita kur babai i saj arrestohet në ambientet e Ministrisë së Arsimit, me urdhër të disa zyrtarëve, vetëm për shkak se, siç thotë ajo, babai i saj kishte kërcënuar se do të hyjë ne grevë urie në hapësirat e kësaj ministrie për të kërkuar drejtësinë. "Nuk e di kë përfaqësojnë këta shqiptar të punësuar në këtë ministri, fjalët e të cilëve i merr era. Çka është me e keqja ata në vend se të na ndihmonin ata e arrestuan prindin tim dhe e dërguan në polici, ku pas një bisede informative e liruan", ka rrëfyer nxënësja shkupjane, e cila thotë se janë detyruar të kërkojnë ndihmë nga shteti shqiptar për t'i dalç ballë halleve të tyre për shkollim.
Mediat shqiptare i kanë dhënë jehonë të madhe lajmit që kishte të bënte me fatin e nxënëses shkupjane, e cila ishte shpallur nxënëse e vitit pranë shkollës së mesme". Misioni është realizuar edhe me ndihmën e gazetës "Koha jonë. Mediat shqiptare në tërësi kanë pohuar se Qeveria e Shkupit e Nikolla Gruevskit po diskriminon shqiptarët në çdo sferë, duke përfshirë edhe atë të arsimit.