Prishtinë, 21 gusht, NOA - Pas marrjes së pëlqimit nga vendet përkatëse, presidenti kosovar Fatmir Sejdiu dekretoi katër ambasadorë të rinj të Republikës së Kosovës.
Këta janë: Avni Spahiu, Uashington (SHBA), Bekim Sejdiu, Ankara (Turqi), Gazmend Pula, Tiranë (Shqipëri) dhe Anton Berisha, Lubjanë (Slloveni), kumtoi Zyra e Presidentit. Ndërsa një ditë më parë presidenti Sejdiu dekretoi edhe ambasadorin e Kosovës në Berlin të Gjermanisë, Vilson Mirditën. Ditëve në vijim, Sejdiu pritet të akreditojë edhe ambasadorët në 13 ambasadat e tjera të Kosovës që pritet të jenë funksionale gjatë këtij viti. Dekretimi i ambasadorëve nga ana e presidentit bëhet vetëm pasi vendet nikoqire të pranojnë kredencialet e të propozuarve kosovarë. Ministria e Jashtme e Kosovës ndërkaq, është në procedim të përzgjedhjes finale të shërbimit civil dhe diplomatik.
NOA-INA