English

Kundërshtarët e Metës: Të ndalet pakti me PD. S'qe kjo ëndrra jonë

Tiranë, 22 gusht, NOA - Pakti me Partinë Demokratike për të qeverisur së bashku nuk ka qenë ëndrra e simpatizantëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët prej pesë vitesh votojnë për këtë forcë politike.

Një konfirmim të tillë e kanë bërë përmes një konference për shtyp 5 anëtarë të Kryesisë së LSI-së, të kryesuar nga Pëllumb Xhufi, të cilët kanë denoncuar publikisht paktin PD-LSI për të qeverisur së bashku.

Ata janë Pëllumb Xhufi, Ndre Legisi, Sabit Brokaj, Mustafa Muçi dhe Fatos Klosi.

"Ne nuk ndjekim misionin vetëshkatërrues, pasi pakti me Berishën nuk ka qenë ëndrra e simpatizantëve të LSI-së", ka thënë lidhur me një fakt të tillë Xhufi.

Sipas tij, vota e majtë nuk është dhënë nga elektorati për të patur një qeverisje të përbashkët me Berishën.

"Nuk ishte kjo ëndrra që u krijua 5 vjet më parë. Votat e së majtës, nuk duhet të shkojnë në favor të Berishës", tha më pas ai, duke lançuar kështu mendimin e gjithë anëtarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët paraqiten kundër negociatave të partisë së tyre me atë Demokratike.

"Sa i përket marrëveshjes, të rikonsiderohet vendimmarrja dhe i bëjmë apel Metës që sa më parë të tërhiqet prej paktit përfundimtar me Berishën", i ka drejtuar Xhufi publikisht thirrje kryetarit të partisë së tij.

Të gjitha këto deklarata, ai pohoi se i bëri në kuadrin e një shqetësimi jo vetëm personal dhe partiak, por edhe publik për situatën politike në vend.

n.e/NOA

KOMENTE