Tiranë, 22 Gusht EKSKLUZIVE NOA - Negociatat për formimin e qeverisë së re nisin në datën 2 shtator 2009 në orën 10.00 paradite në një tryezë të rrumbullakët ku fillimisht do të marrin pjesë krerët e dy partive dhe më tej përfaqësues të PD dhe LSI.
Lajmi bëhet i ditur për agjencinë e lajmeve NOA, nga burime të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe konfirmohet gjithashtu nga përfaqësues të Partisë Demokratike.
Mësohet se negociatat do të zhvillohen pikërisht të mërkurën më 2 shtator, në ditën që në fakt është e programuar për mbledhje qeverie.
Burimet saktësuan për agjencinë NOA se mbledhja e fundit e qeverisë aktuale do të bëhet të mërkurën e ardhshme më 26 gusht.
Në këtë ditë, pritet që kryeministri të flasë gjatë para ministrave të kabinetit të tij, duke i evidentuar punën e katër viteve të Këshillit të Ministrave që drejtoi pa ndërprerje.
Berisha, sipas burimeve për agjencinë e lajmeve NOA nga kabineti qeveritar, mësohet se do të paraqesë një raport të detajuar mbi punën e bërë, arritjet, procesin reformues dhe do të evidentojë po ashtu disa nga vendimet dhe projektligjet më të rëndësishme.
Gjithashtu kryeministri pritet që të flasë jo pak edhe për reformat e parealizuara ende, projektligjet e lëna në mes dhe ato të cilat disa prej ministrave të qeverisë aktuale, do të duhet të vazhdohen në kabinetin e ri.
Ndërkohë, e mërkura 2 shtator, vetëm pak ditë para mbledhjes së pritshme të Parlamentit të ri, do të vërë përballë njëri-tjetrit në një vend ende të pakonfirmuar, përfaqësuesit e LSI dhe PD.
Mësohet se fillimisht do të ketë një takim kokë më kokë mes Sali Berishës dhe Ilir Metës dhe menjëherë më pas do të vazhdohen negociatat me përfaqësuesit e dy partive tashmë në koalicion qeverisës.
Posti që pritet të marrë kryetari i LSI, është ai i Kryetarit të Parlamentit, duke nxjerrë kështu jashtë loje, Jozefina Topallin, një përfaqësuese e rëndësishme e PD, e njohur si rivale potente ndaj Berishës për drejtimin e partisë më të madhe në vend.
Burimet vënë në dukje se asnjë post nuk është rezervuar për Topallin, por nuk përjashtohet që në minutën e fundit asaj t'i jepet një portofol, thanë për agjencinë NOA, burime nga PD.
Sakaq, edhe roli i Bamir Topit, duket se ka nisur të zgjohet këto ditë, pasi një numër takimesh dhe kontaktesh në rrugë të tjera që ai ka zhvilluar dhe pritet të zhvillojë, po diskutojnë gjithnjë dhe më shumë, për atë se çfarë postesh do të ketë grupi që e mbështet Presidentin, në qeverinë e re.
Dihet se mes Berishës dhe Topit, prej të paktën një viti e gjysmë kanë nisur çarje të forta, me një seri refuzimesh që presidenti i bëri kryeministrit për disa ligje dhe emërime.
Rrëzimi me dekrete i tyre, u pasua nga deklarata dhe kundërdeklarata nga Topi dhe Berisha, që akuzonin fort njëri-tjetrin.
***
Sakaq, nga kampi i majtë, Lëvizja Socialiste për Integrim, postet janë përcaktuar. Në qeverinë e re, LSI do të ketë dy ministri, të paktën tre zëvendësministra.
Por ajo që e lumturon më shumë LSI-në, është fakti se me formimin e qeverisë së re ku është në koalicion të paracaktuar katër vjeçar, do të ketë shumë emra që vijnë nga LSI, në krye të disa institucioneve të rëndësishme, të njohura si burim i rëndësishëm të ardhurash.
Ndonëse pritet të prezantohet me jo më shumë se dy ministri në kabinetin e ri, LSI pikërisht për këtë fakt duket se do të jetë e kënaqur: Ajo do të marrë drejtimin e institucioneve në varësi të qeverisë që "kompensojnë" jo pak prezencën jo masive në Këshillin e ri të Ministrave.
/e.n/a.k/NOA/