Tiranë, 22 gusht NOA - Deklarata e sotme e Ministrit të Financave, Ridvan Bode se kriza ekonomike ka kaluar dhe se situata është e stabilizuar, ka nxjerrë menjëherë në podium deputeten e PS-së, Mimi Kodheli e cila ka deklaruar se më në fund Bode, ka pranuar se vendi ka pasur krizë, fakt të cilin opozita e ka bërë të ditur kohë më parë.
"Ne sot, e pyesim publikisht Ridvan Boden, pse paratë e privatizimeve abuzive të pasurisë së përbashkët të shqiptarëve, po bëhen gati për të mbushur arkën e boshatisur nga fushata e grabitjes së votës, duke i zhytur çdo ditë e më shumë në borxh familjet shqiptare?
Ridvand Bode duhet t'u thotë shqiptarëve nëse është paguar fatura mbi 60 milion euro për rrugën e kombit?
Ministri i Piramidave duhet t'ju thotë shqiptarëve nëse i ka shlyer detyrimet e mëdha që u ka kjo qeveri, firmave të tjera të rrugëve të hapura nëpër Shqipëri" deklaroi Kodheli.
"Edhe në rastin kur Guvernatori i Bankës, edhe pse me një gjuhë shumë diplomatike, flet qartë për krizë ekonomike kërcënuese, ministri i financave çuditërisht pranoi sot se situata ekonomike në vend tashmë është e qëndrueshme!!!
Ministri i Piramidave duhet të tregojë të vërtetën për financat e shthurura të vendit, për mosfinancimin e kontratave që ka lidhur për rrugët e për mungesën e investimeve, për gropën e zezë të ekonomisë ku rrezikon të bjerë vendi, si edhe për pasigurinë sociale që po rritet çdo ditë në Shqipëri" përfundoi deputetja e PS-së, Mimi Kodheli.
k.k/NOA