Uashington, 22 gusht, NOA - Ai erdhi në detyrë me një mbështetje të madhe nga popullata amerikane, si një lider që do të zgjidhte menjëherë problemet e tyre, por vetëm pak muaj pas qeverisjes së tij, duket se kjo mbështetje ka rënë ndjeshëm.
Fjala është për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, i cili sipas një ankete të fundit rezulton të ketë një rënie të besimit të publikit ndaj figurës së tij.
Kjo anketë tregon sesi besimi i publikut amerikan tek presidenti Obama ka rënë, në një atmosferë shqetësimesh lidhur me reformat në kujdesin shëndetësor dhe shtimin e shpenzimeve qeveritare.
Rezultatet e anketës së realizuar nga rrjeti ABC dhe gazeta the Ëashington Post tregojnë se presidenti gëzon mbështetjen e 57 për qind të popullatës, një shifër që përfaqëson një rënie prej 12 për qind krahasuar me nivelin më të lartë të popullaritetit në prill.
Sipas anketës, afro gjysma e amerikanëve shprehin besimin se presidenti do të marrë vendimin e duhur për vendin, ndërsa pak muaj më parë rezultonte 60 % e popullatës me një ndjesi të tillë optimizmi.
Ndërkaq, kjo anketë tregon edhe sesi është shtuar numri i amerikanëve që besojnë se vendi i tyre nuk po shkon në rrugën e duhur, por në atë të gabuar.
n.e/NOA