Tiranë, 22 gusht NOA/UPDATE - I shkaktoi vdekjen duke e goditur vetëm një herë me gjurin e djathtë në sy, dhe më pas qëndroi me babain e vdekur për më shumë se 12 orë në banesë.
Kanë qenë fqinjët e familjes Shehu në rrugën "Siri Kodra" në Tiranë të cilët kanë diktuar krimin.
Megjithëse të mbushur me dyshime, ata nuk kanë nguruar të lajmërojë policinë e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje.
Specialistët e zyrës së hetimit të vrasjeve pranë policisë së kryeqytetit mbërritën në banesën e familjen Shehu, ku gjetën të vdekur 80-vjeçarin Redi Shehu, si dhe djalin e tij 45-vjeçar A.Shehu i cili u shoqërua menjëherë në polici si autori kryesor i dyshuar për vrasjen e të moshuarit.
Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se 45-vjeçari qëndronte i heshtur pranë trupit të pajetë të babait të tij.
"Ende nuk janë sqaruar rrethanat e këtij krimi, por hetuesit në bazë të rindërtimit të ngjarjes konkluduan se i moshuari ka qenë shtrirë në divan kur është qëlluar nga i biri.
45-vjeçari e ka qëlluar babain e tij me gjurin e djathtë në pjesën e syrit. Nga goditja e fortë i moshuari ka rënë nga divani çka ka sjellë më pas edhe vdekjen e tij' thanë për agjencinë e lajmeve NOA burimet policore.
Vdekja e babait e shkaktuar prej tij, duket se nuk e ka prekur 45-vjeçarin i cili edhe 12 orë pas ngjarjes nuk ka lajmëruar askënd për ndihmë apo të largohej vetë nga banesa për të mos parë më babain e tij të vdekur.
Edhe pas 12 orësh 45-vjeçari duket se nuk është penduar për krimin teksa shihte babain e vdekur.
Por për policinë veprimi para, gjatë dhe pas krimit i 45-vjeçarit e ka një shpjegim.
Sipas policisë ai kishte vetëm pak ditë që kishte dalë nga spitali psikiatrik ku kurohej pasi vuante nga sëmundja mendore.
Madje ka qenë babai i tij ai që kërkoi daljen e të birit për të qëndruar në shtëpi me të pasi jetonte i vetë.
80-vjeçarit Redi Shehu i kishte vdekur bashkëshortja disa kohë më parë dhe jetonte i vetëm në banesë, pasi kishte dy djem njëri jetonte në Gjermani dhe djali tjetër në spitalin psikiatrik.
Ndërkohë që policia tha se do të arrestojë 45-vjeçarin, i cili vetëm sa ka pohuar krimin por nuk ka dhënë detaje për rrethanat e vrasjes.
Policia tha se vrasja mund të ketë ndodhur pas ndonjë "fjale" të thënë nga i moshuari të cilit 45-vjeçarit nuk i ka pëlqyer.
k.k/NOA
Â