English

A duhet ta përdorim euron? Kjo është çështja

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 23 Gusht NOA - As sezoni turistik dhe as prurjet e valutore të emigrantëve duket se nuk ndikuan këtë sezon veror në mbiçmimin e lekut, ashtu siç ndodh zakonisht në periudha të tilla.

Një euro ka mbetur në kufijtë e 130 lekëve, duke dhënë efekt negativ më shumë tek kredimarrësit në monedhën evropiane.

Ekspertët e ekonomisë e vlerësojnë në mënyra të ndryshme të ardhmen e kursit të këmbimit.

Për këshilltarin e kryeministrit për Ekonominë Selami Xhepa, kursi i këmbimit nuk do të na surprizojë në muajt në vazhdim, pasi kërkesa për importe do të bjerë ndërsa me rimëkëmbjen e disa ekonomive evropiane, kërkesa për eksportet shqiptare do të rritet. Duke folur me agjencinë e lajmeve NOA, Selami Xhepa thekson se situata nuk është shqetësuese, pasi ky nivel kursi tregon më së shumti tendencat e tregjeve botërore si dhe pasqyron efekte të faktorëve të brendshëm.Â

Nga ana tjetër, profesori i Ekonomisë Sulo Hadëri, është i mendimit se e ardhmja e kursit të këmbimit është në pikëpyetje dhe nuk garanton stabilitet.

"Treguesit që do të mbajnë kursin në ekuilibër nuk janë optimist, deficiti i llogarisë korrente është në nivele të larta dhe ky fakt nuk garanton stabilitet"- shprehet Hadëri për agjencinë NOA.Â

Për ekspertët, mbetet një debat i hapur nëse ekonomia jonë është e gatëshme të zëvendësojë lekun me monedhën evropiane.

Selami Xhepa është i mendimit se zëvendësimi i monedhës kombëtare do të ndikojë pozitivisht në eliminimin e rrisqeve që vijnë nga luhatja e kursit të këmbimit.

Mbi të gjitha, sipas Xhepës të bëhesh pjesë e një politike monetare edhe më të fuqishme do të krijonte premisa për të reduktuar ndjeshëm rreziqet që vijnë nga jashtë.

Por profesor Hadëri thotë se ndryshimi i monedhave vlen të kryhet në ekonomi të cilat kanë probleme dhe luhatje të mëdha siç janë kursi i këmbimit, rritja ekonomike apo ndryshimi i shpeshtë i inflacionit. Në këto kushte argumenton Hadëri nuk është e nevojshme që të merren iniciativa të tilla, pasi kostot do të jenë edhe më të mëdha se sa përfitimet.

Në rast se do të kryhej zëvendësimi i lekut atëherë edhe normat e interesit bankarë do të ishin të njëjtat me vendet e Bashkimit Evropian.

Një nga kriteret për të përdorur euron është mbajtja e inflacionit nën kontroll 2-3 për qind, si dhe një deficit buxhetor që të mos kalojë 3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, ndërkohë që kjo shifër aktualisht tek ne është 4.2 për qind.

/r.l/e.n/NOA/

KOMENTE