English

Kampionati i 12-të Botëror i Atletikës së Lehtë, u meritua vetëm një medalje të artë

Nga Auron Dodi

Berlin, 24 Gusht NOA/DW- Me ceremoninë zyrtare mbyllëse përfundoi të dielën në Stadiumin Olimpik të Berlinit Kampionati i 12-të Botëror i Atletikës së Lehtë.

Mijëra ndihmësvullnetarë vërshuan së bashku me kukullën e fatit Berlino në shiritat e vrapimit blu dhe përhapën në përfundim edhe njëherë një atmosferë festive.

Me pjesëmarrjen e 1984 atletëve nga 201 vende u shënua një rekord i ri pjesëmarrësish në historinë e garave për tituj.

Me spektaklin madhështor, të përbërë prej një sporti të madh, kënaqësisë pa rezerva dhe prej yjesh vezullues, Kampionati i 12-të Botëror i Atletikës së Lehtë meritoi vetë një medalje të artë.

"Kishim të bënim me një ngjarje fantastike. Përjetuam një Kampionat Botëror të mrekullueshëm. Dhe pamë edhe rezultate të shkëlqyera të atletëve. Usain Bolt është sportisti më popullor i botës."

Me këto fjalë e vlerësoi Lamine Diack, presidenti i Shoqatës Botërore IAAF, në praninë e presidentit të Gjermanisë, Horst Këler (Köhler) atmosferën madhështore në stadium dhe organizimin perfekt të garave për tituj. 1984 atletë nga 201 vende, tri rekorde botërore dhe medalje për sportistë nga 34 shtete: ngjarja më e madhe sportive në vitin pasolimpik mund të konsiderohet sukses.

Tri vjet pas zhvillimit të Kampionatit Botëror të Futbollit në Gjermani edhe atletika e lehtë përjetoi po në Gjermani një zhvillim kulminant: me një buxhet prej 44 milionë Eurosh, mikpritësit organizuan një Kampionat Botëror thuajse perfekt.

Të 89 atletët e Shoqatës Gjermane të Atletikës së Lehtë ishin në vendin e tyre më të suksesshmit në 10 vitet e fundit. Dy medalje të arta, tri medalje të argjendta, katër medalje bronzi. "Kampionati Botëror ka vetëm fitues", tha përmbledhtazi presidenti i Shoqatës Gjermane të Atletikës së Lehtë, Clemens Prokop në cilësinë e tij si shef i Komitetit Organizator.

"Kjo që arritëm është mbi atë që prisja dhe që shpresoja, por unë nuk dua të kufizohem me medaljet. Ne kemi pasur rezultate të mrekullueshme, përveç marrjes së medaljeve."

Me nëntë medalje, gjermanët i kaluan qartë sukseset e tyre në Helsinki dhe në Osaka, ku në vitet 2005 dhe 2007 morën përkatësisht pesë dhe shtatë medalje. Me pankartën "Faleminderit Berlin, ju ishit të mrekullueshëm", atletët gjermanë falënderuan publikun berlinez.

Që para fitores grandioze të meshkujve në garën 4 X 400 metra, ekipi i SHBA e kishte fituar fare qartë duelin prestigjioz me Xhamajkën në klasifikimin e kombeve: amerikanët mblodhën 22 medalje, 10 medalje ari, 6 herë argjend, ndërsa Bolti dhe atletët e tjerë xhamajkianë morën 13 medalje.

Gjithsej për nëntë ditët e Kampionatit Botëror të Atletikës së Lehtë u shitën 400 000 bileta, kaq sa kurrë më parë në historinë e Kampionateve Botërore.

Me gjithë spektaklet e paradites, ditët e mëdha të atletikës së lehtë i përjetuan në kryeqytetin gjerman 515 000 vizitorë.

Mbi 1300 spektatorë ndoqën vrapimet e maratonës, të cilat për herë të parë nuk nisën dhe përfunduan në stadium - arena e ngjarjeve ishte Porta e famshme e Brandenburgut si dhe një vrapim përmes qendrës së Berlinit.

3 herë Kampioni i Botës, Usain Bolt mori një kujtim shumë të veçantë nga garat e Berlinit. Kryetari i Bashkisë së Berlinit, Klaus Voverajt i dhuroi të dielën pasdite xhamajkanit, një copë origjinale të Murit të Berlinit, ku ishte pikturuar fytyra e sprintuesit.

"Është një nder, ma kanë pikturuar fytyrën në të gjithë copën e Murit. Ishte një nder që më dhanë një copë nga Muri."

Vetëm dy raste dopingu e trazuan spektaklin. Një hije mbi aktivitet hodhi edhe afera e testit të gjinisë, për kampionen botërore në vrapimin 800 metra nga Afrika e Jugut, Caster Semenya.

Në shenjë proteste për testin te 18 vjeçarja, Kejp Tauni do të ankohet te Komisioni i Të drejtave të Njeriut të OKB-së.

Gazeta zvicerane Blick kishte raportuar duke iu referuar një ish-trajneri të 18 vjeçares, se ajo ishte hermofrodite, me dy gjini dhe se niveli i testosteronit te Semenya ishte manipuluar, për të mos rënë në sy si mashkull.

Lamine Diack, presidenti i Shoqatës Botërore IAAF pranoi se mund të kishin vepruar më me kujdes.  Â

KOMENTE