English

Ministri i Bujqësisë Jemin Gjana: Plani për të nxitur punimin e tokës

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 24 Gusht NOA - Ministria e Bujqësisë është në fazën e përcaktimit të afateve, se kujt do t'i merret toka që ka lënë pa punuar.

Ministri Jemin Gjana shpjegon për agjencinë e lajmeve NOA se nisma e qeverisë do të përqendrohet kryesisht në ato zona ku toka është lënë djerrë për vite me radhë.

Këtë proces do ta administrojë bashkia ose komuna, e cila do të marrë në përdorim pronën për t'ia dhënë fermerit, që kërkon ta punojë.

"Ne jemi duke parë afatet, nuk mund ti marrim pronën atij që ka një vit që nuk e punon. Mendojmë t'i merret toka atij që ka më shumë se tre vjet që e ka lënë djerrë. Një tjetër variant është që bashkitë dhe komunat të marrin tokën për një periudhë 5-10 vjeçare me qira, për t'ia dhënë të interesuarit"- shprehet Gjana.

"Kjo praktikë nuk i heq të drejtën e pronësisë me dokumente pronarit të vërtetë. Toka do të merret në shfrytëzim dhe në çdo rast që pronari do të kthehet ka të drejtën e punimit të tokës së tij", - shprehet Gjana.

Sipas ministrit është ngritur një grup pune i cili po evidenton rast pas rasti zonat ku janë tokat e lëna djerrë.

Në të gjithë vendin rezultojnë 50 mijë ha tokë e papunuar, kryesisht për shkak të emigracionit.

Në kushtet kur Shqipëria ende importon fruta dhe perime, lënia e tokës djerrë mbetet një fenomen për t'u luftuar.

Gjana pranon se ankesat e fermerëve që nuk gjejnë treg për të shitur produktet vijnë si pasojë edhe e mungesës së marketingut por edhe për shkak të çmimeve të larta qe duan t'i shesin.Â

Duke folur mbi zgjidhjet, Gjana shprehet për agjencinë NOA: "Në këtë treg ku vendos kërkesë-oferta do të ketë edhe fermerë të cilët nuk do të gjejnë treg. Natyrisht që ne pranojmë që ka vend për më shumë marketing por shpesh herë produktet nuk gjejnë shitje për shkak edhe të çmimeve që duan t'i shesin fermerët".Â

Nisma e qeverisë e cila po konkretizohet në një draft ligjor parashikon që 1 të 10 e prodhimit fermeri t'ia japë pronarit.

Pak kohë më parë qeveria hodhi idenë se do të vendose taksë për ata që nuk punojnë tokën, por u tërhoq nga ky variant për shkak se taksa nuk garantonte mbledhjen në praktikë të saj.

/r.l/e.l/NOA/

KOMENTE