Tiranë, 24 gusht NOA - Ministria e Transporteve ka dalë sot me një deklaratë për shtyp ku ka theksuar edhe njëherë se shkatërrimet e Jalës në vitin 2007 ishin në përputhje me ligjin duke i quajtur aludime deklaratat e opozitës.
"Kryetari i humbur i minorancës parlamentare, përmes shtypit që komandon, riktheu spekulimet në lidhje me projektin e bregdetit të Jugut dhe gjoja pasojat që ka pasur ndërhyrja e ish-policisë ndërtimore për prishjen e ndërtimeve të paligjshme.
Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve saktëson se të gjitha prishjet e bëra në pranverën e vitit 2007 në Jalë kanë qenë tërësisht në përputhje me ligjin shqiptar dhe me termat e referencës së projektit të Bankës Botërore.
Prishjet e ndërtimeve të paligjshme, në të gjithë territorin e vendit, do të vazhdojnë, kudo ku do të konstatohet mbivendosje e interesave mafioze mbi ato publike" deklaroi zëdhënësi i ministrisë së Transporteve, Altin Ndroqi.
"Pikërisht interesat mafioze të Edi Ramës dhe klientëve të tij, dhe jo interesat e publikut u goditen në Jalë.
Ne do të vazhdojmë të kryejmë detyrën tonë, në përputhje me ligjin, përsa kohë qytetarët shqiptarë besojnë në punën dhe në vullnetin tonë, gjë që e dëshmuan edhe në zgjedhjet e fundit, me të cilat e dënuan zotin Rama të vazhdojë të bëjë kryekaragjozin' përfundoi Ndroqi.
k.k/NOA
Â