Prishtinë, 24 gusht, NOA - Zyrtarë të Doganave në Kosovë thonë se në vitin 2009 ka pasur rënie të kontrabandës dhe se ajo nuk ka ndikim të madh në buxhetin e Kosovës. Ekspertët pohojnë të kundërtën, duke thënë se pjesa veriore e Kosovës akoma mbetet vendi më kritik për këtë dukuri.
Treguesi më i qartë që dëshmon zvogëlimin e kontrabandës në Kosovë është rritja e mbledhjes së të hyrave nga doganat, vlerësojnë përfaqësuesit e Doganave të Kosovës dhe të mekanizmave të sigurisë.Ata thonë se që nga vendosja e EULEX-it në pikat doganore është ngushtuar mundësia e rrugëve të kontrabandës. Policia e Kosovës vlerëson se rruga më e mirë për të sjellë në Kosovë produkte që u shmangen taksave, mbetet kufiri me Serbinë, porse këtu nuk bëjnë përjashtim zonat kufitare me shtetet e tjera. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, shpjegon: "Pas shpalljes së pavarësisë, kemi pasur raste të shumta të arrestimit të personave të dyshuar, të kontrabandistëve, si dhe konfiskimit të sasive të derivateve të naftës dhe mbylljes së pompave të benzinës. Por, tani, me një angazhim më të madh të grupit punës për kontrabandë, këto raste janë shumë më të rralla, në krahasim me statistikat e vitit të kaluar", thotë Beka. Ai bën të ditur se rrugët dytësore, të cilat përdoren për kontrabandimin e mallrave, megjithëse kontrollohen nga policia, janë në afërsi të vendkalimit kufitar në Kullë dhe në afërsi të Drejtorisë rajonale të Gjilanit, në vendkalimin me Serbinë. Zona, e cila deri më tani ka qenë më e ndejshmja sa i përket kontrabandës, është veriu i Kosovës, ku, sipas drejtorit të Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, ka pasur përmirësime. Ai thotë se luftimi i kontrabandës në veri është i dukshëm, nëse krahasohen vitet 2008 dhe 2009, pasi që është rritur shumë vlera e përgjithshme e zhdoganimit, kurse sasia e importit ka mbetur e njëjtë. "Nuk them që kemi arritur të ndalojmë 100 për qind kontrabandën. Por, statistikat tona tregojnë për një rënie të kontrabandës në 80 për qind, në raport me një periudhë të njëjtë të vitit të kaluar. Edhe të hyrat, të cilat kemi arritur t'i realizojmë përmes terminalit doganor në Mitrovicë, tregojnë një rritje 47 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar", pohon Huruglica. Ai, madje, thekson se dëmet e shkaktuara nga kontrabanda nuk mund të dëmtojnë më shumë se 2,3 për qind buxhetin e Kosovës në nivelin e të hyrave të përgjithshme, të grumbulluara nga dogana. Sidoqoftë, eksperti për çështje ekonomike, Mejdi Bektashi, konsideron se si pasojë e kontrabandës, çdo ditë nga buxheti i Kosovës humben së paku 1 milion euro. "Kontrabanda zhvillohet edhe në pikat tjera të Kosovës dhe jo vetëm në pikat doganore në veri. E gjithë kjo i shkakton buxhetit të Kosovës shuma të mëdha të mjeteve, të cilat mjete shkojnë në duar të kontrabandistëve, të cilat shumë herë paraqiten si një formë e re ekonomike, mos t'i quaj edhe politike", thotë Bektashi. Ai vlerëson se mosfunksionimi i duhur i pikave doganore në veri po rrit edhe më shumë kontrabandimin e mallrave - gjë që, sipas tij, po shkakton uljen e standardit të çdo qytetari. Mirëpo, kjo gjë hidhet poshtë nga zyrtarë të Doganave të Kosovës, të cilët shprehin bindjen se vendosja e doganierëve të EULEX-it në dy pikat kufitare në veri të vendit, ka ndikuar në zvogëlimin e kontrabandës. Ndërkohë, mallrat më atraktive për kontrabandë thuhet se janë ato të akcizës, si duhani, alkooli dhe të tjera.
NOA-INA