English

Sërish grabitje në Tiranë, vidhet dhe plagoset me thikë punonjësi i një hoteli

Tiranë, 24 gusht NOA - Brenda një intervali kohe të shkurtër, zyra e hetimit të grabitjeve me dhunë në policinë e Tiranës është njoftuar për një tjetër grabitje në kryeqytet pas asaj të një agjencie të këmbimit valutor.

Duket se grabitësit kanë fituar terren në Tiranë duke u hedhur në sulm për tu marrë paratë agjencive apo edhe personave që kanë ‘kuletat plot'.

Kështu pas grabitjes së një agjencie të këmbimit valutor pranë rrugës së "Durrësit" nga një person i vetëm i armatosur dhe i maskuar, dy persona të tjerë paralelisht kanë grabitur një 26-vjeçar punonjës i një hoteli në afërsi të ambienteve të doganës së Tiranës. Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se dy të rinj të pamaskuar por të armatosur me thikë i kanë dalë përpara 26-vjeçarit G.D, duke i marrë atij portofolin, ndërsa u larguan me shpejtësi.

Por i dëmtuari ka bërë rezistencë duke ndjekur këmba-këmbës grabitësit të cilët po vraponin njëri pas tjetrit.

I riu mundi të kapte njërin prej autorëve duke i kërkuar atij t'i kthente paratë por pikërisht, kërkesa për të marrë lekët e tij i ka vënë jetën në rrezik 26-vjeçarit i cili u qëllua nga autori me thikë.

Por vetëm një goditje me thikë në trup vetëm ka lënë të plagosur të riun duke mos i vënë në rrezik jetën.

Ai u transportua në Spitalin Ushtarak, ndërsa policia e lajmëruar për ngjarjen nisi hetimet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë që më herët policia ndodhej në një agjenci këmbimi valutor u ishte raportuar një grabitje me armë.

Një person kishte mundur të rrëmbente prej andej rreth 1 milionë lekët të vjetra, akt të cilin e ka kryer nën kërcënimin e pistoletës.

Në asnjërin prej dy rasteve policia nuk ka autorë të identifikuar ndërsa ka shoqëruar disa persona në cilësinë e dëshmitarëve apo të autorëve të dyshuar.

k.k/NOA

KOMENTE