"Ka një dozë relativiteti në të kuptuarit të konceptit "zgjidhje" për probleme apo çështje të ndryshme, ngase varet kush si e kupton atë, në të vërtet, varet se si dëshiron ta kuptojë dhe ta interpretojë atë"
Nga Basri Kodra
Ndonëse pavarësia është shpallur më 17 shkurt 2008, gjithnjë e më pak duket se ajo po e përmban zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Pavarësia e Kosovës e cila, siç e dimë të gjithë, qëndron brenda Planit të Ahtisaar-it, është interpretuar në mënyra të ndryshme nga faktorë të ndryshëm.
Kështu për shembull, bashkësia ndërkombëtare e ka quajtur si një "zgjidhje optimale" e cila do të mund t'i pajtonte palët pas një procesi relativisht të gjatë e të ngadalshëm dhe kështu ta qetësonte këtë pjesë të Ballkanit; faktori politik shqiptar e ka quajtur si "zgjidhje më të mirë të mundshme" pas një "kompromisi të dhimbshëm"; ndërsa Lëvizja Vetëvendosje! dhe disa intelektualë, nuk kanë pranuar ta quajnë "zgjidhje" këtë format të zgjidhjes që i është dhënë çështjes së Kosovës gjatë procesit negociator të Vjenës përmes së cilit edhe u përcaktua statusi përfundimtar.
Sikundër po mund të vërehet, kemi tre qëndrime të ndryshme për të njëjtën çështje. Qëndrimi i faktorit ndërkombëtar dhe i atij vendor në lidhje statusin e Kosovë, në thelb është qëndrim i njësuar, për shkak se nga mendimi dhe qëndrimi i të parit kushtëzohet edhe qëndrimi i të dytit. Domethënë, në origjinë këto qëndrime janë të njëjta sa i përket çështjes së statusit të Kosovës, ndërsa me kalimin e kohës dhe me zhvillimin e ngjarjeve, vijnë duke u ndarë.
Dallimet krijohen për shkak të natyrës së këtyre dy regjimeve dhe raportit të ndërsjellë të tyre. I pari është më i vendosur dhe njëkohësisht shumë dinamik, kurse i dyti më statik në qëndrime verbale dhe shumë i pavendosur. Për shkak së është kështu, nuk është çudi pse tani faktori ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po dyshon edhe vetë në produktin e vet të cilin ia imponoi faktorit vendor dhe popullit në Kosovë.
Por derisa politikanëve në Kosovë iu intereson, mbi të gjitha, që vetëm ta quajnë Kosovën shtet, pa çarë kokën për vërtetësinë e këtij shteti dhe për çmimin që po paguan populli për të, ndonëse në kohë paqe, faktorit ndërkombëtar i intereson mbi të gjitha mundësia e arritjes së pajtimit midis shqiptarëve dhe serbëve, pa çarë fare kokën për përfilljen e vullnetit të popullit.
Do kthehem tani tek qëndrimi i tretë në lidhje me statusin e Kosovës sipas të cilit çështja e Kosovës ende nuk është zgjidhur. Dhe kjo s'ka të bëjë fare me qëndrimin zyrtar serb sipas të cilit statusi i Kosovës ende nuk është përcaktuar. Zgjidhja, mund të jetë e shumëllojshme. Por, ç'kuptojmë me "zgjidhje" të një problemi?
Ka një dozë relativiteti në të kuptuarit të konceptit "zgjidhje" për probleme apo çështje të ndryshme, ngase varet kush si e kupton atë, në të vërtet, varet se si dëshiron ta kuptojë dhe ta interpretojë atë. Kështu për shembull, kemi zgjidhje të përkohshme - politike, por kemi edhe zgjidhje të përhershme - historike.
Kemi gjithashtu, zgjidhje të padrejtë - të imponuar, dhe zgjidhje të drejtë - duke përfillur vullnetin e popullit. Kështu për shembull, Evropa e pat "zgjidhur" çështjen shqiptare qysh në Berlin më 1878, mirëpo u rishfaq sërish, me ç'rast Fuqitë e Mëdha sërish e "zgjidhën" atë në Londër më 1913, duke e futur Kosovën së bashku me 2/3 e popullit shqiptar dhe të trojeve të tij nën Serbi, përkatësisht, Mal të zi e Greqi.
E kështu me radhë... Edhe Tito në kohën e Jugosllavisë e pat "zgjidhur" çështjen e Kosovës, duke e lënë atë të mbetur nën Serbi, ndonëse me një status mjaft më të përparuar se më parë (që të jemi më të sinqertë, as që bënë të na mbete hatri aspak në Titon - si kroat që ishte, i cili s'kishte hesap të ngatërrohej me Serbinë për punët tona, duke pasur parasysh gjithnjë kahun negativ të prirjes së udhëheqjes shqiptare të asaj kohe në ish-Jugosllavi).
Ndërsa, s'duhet harruar se, edhe Serbia shpeshherë ka provuar ta "zgjidhë" çështjen e Kosovës, përmes pastrimit etnik. Serbia, siç dihet, ka bërë shumë plane dhe projekte për "zgjidhjen" e çështjes së Kosovës, dhe në të gjitha ato plane është përdorur edhe fjala "zgjidhje" e cila kurrë nuk është futur nën thonjëza! Edhe tani, bashkësia ndërkombëtare pretendon se e ka "zgjidhur" çështjen shqiptare përmes Planit të Ahtisaar-it, Marrëveshjes së Ohrit dhe asaj të Konçulit.
Sikundër shihet, pra, ndonëse çështja shqiptare në përgjithësi (dhe jo vetëm çështja e Kosovës), shumëherë është "zgjidhur" deri më tani, prapë se prapë ajo ka mbetur e pazgjidhur. Pse ndodhë kështu, tashmë është shumë e qartë: të gjitha "zgjidhjet" e deritanishme kanë pasur një të metë thelbësore: nuk e kanë përfillur vullnetin e popullit për të cilin janë projektuar, domethënë, janë zbatuar pa vetëvendosje. Këtë të metë, prandaj, e ka edhe projekti i Ahtisaar-it nën të cilin ndodhet pavarësia e Kosovës.
Historia e këtyre "zgjidhjeve" duhet të na mësojë, si neve, ashtu edhe bashkësinë ndërkombëtare, se ndonëse këto lloj zgjidhjeje mund ta stabilizojnë për pak kohë rajonin, rishfaqja e çështjeve për të cilat ofrohen ato, mbetet e domosdoshme.