Marrëveshja e bërë "nga lartë" nuk mund të thuhet se gjithsesi do të ketë ndikim edhe në votuesin e LDK-'së dhe PDK-së, që kujtesën e tyre ta shkëpusin nga e kaluara. Kujtesa dhe frika për betejë mund të shndërrohet në marrëveshje të liderëve që ndërtojnë politikë elitiste dhe me interesa konkrete, por jo gjithmonë kjo informatë arrin ta ndërgjegjësojë një qytetar tek i cili janë ende prezentë zhgënjimi dhe kujtimet e së kaluarës
Nga Baton Haxhiu*
Nuk ka armiqësi dhe miqësi të përhershme në politikë. Një slogan i stërpërdorur dhe i stërthënë. Duket se në politikën e Kosovës më nuk ka mbetur ndonjë pjesë idealiste dhe slogani i thënë më lartë i shkon shumë mirë situatës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së. Krejt është interes dhe betejë për fitore të sigurt dhe me çdo kusht. Kjo kohë është kohë e të pamëshirshmëve. Është kohë e atyre që pamëshirshëm e duan fitoren dhe dominimin politik edhe për një dekadë. Dy partitë më të mëdha, PDK dhe LDK, nuk u mjaftuan me pushtetin e tyre absolut, por e bënë atë që rrallëkush do ta bënte në betejën parazgjedhore. Javën e kaluar dolën me një qëndrim nga lartë, se do ta bëjnë balotazhin në raundin e dytë, nëse kandidati i tyre lokal nuk arrin fitore si i vetëm në raundin e parë. Politika në Kosovë më nuk ka ngatërrestarë dhe të rrezikshëm. Nuk ka as njerëz që largohen nga komoditeti i fitores së sigurt dhe në këtë mënyrë vendosin rregulla të monopolit politik. Qëndrimi i PDK-së dhe LDK-së për një fitore të sigurt me kundërshtarët e vegjël është jo vetëm i dëmshëm, por edhe i rrezikshëm, sepse kështu eliminohet beteja e dikurshme politike e të dy gjigantëve politikë në Kosovë, duke e krijuar damkosjen e madhe të pluralizmit. Mungesa e betejës dhe parashikimi paragjykues për balotazh në raundin e dytë eliminon betejën e liderëve duke e zhvendosur atë vetëm në nivel kafesh dhe llafe shtëpish. Në radhë të parë, liderët e dy partive kanë vendosur për balotazhin përkrahës vetëm në emër të pjesës lideriste dhe konjukturale, pa kërkuar fare mendimin e bazës dhe pa dalë në betejën e sqarimeve. Duke qenë në komoditetin e pushtetit, me një opozitë të pafuqishme dhe të shpërndarë e të paqartë sa duhet, PDK dhe LDK sikur i kanë lënë anash të gjitha ato që i kemi parë dhe lexuar dikur për betejën e tyre. Në një mënyrë, kujtesa është e rrezikshme, por kjo dobësi kujtese nuk ka të bëjë me ashpërsinë politike apo frikën nga e kaluara. Përkundrazi, kjo është frikë para një detyre të re që del përpara. LDK-ja e dobësuar nuk e ka të nevojshme kujtesën dhe armiqësinë, por e do vazhdimësinë e pushtetit nën lëkurën e kujtdoqoftë. Me tepër është e besueshme se kjo është bërë një shprehi e natyrshme, një dëshirë e pavetëdijshme për të mos e harruar të kaluarën e lumtur në këtë kohë të pashpresë dhe për të fituar vetëm në betejë. Pas shumë e shumë zhgënjimesh, PDK-ja doli shumë fituese në zgjedhjet e kaluara, por me gjasë fushatën e saj dhe betejën politike ajo e do pa shpenzuar shumë energji dhe pa ndërtuar armiq në betejën elektorale. Beteja me parti të vogla dhe ikja nga beteja me LDK-në tregon qartë se PDK-ja nuk do të rrezikojë fare për ndonjë përmbytje të paparashikuar. Nuk duhet mohuar se marrëveshja e arritur dhe e artikuluar nga Hajredin Kuçi është e gatshme dhe si formulë mund të jetë e suksesshme, por çfarë është pesha e saj kur njerëzit jashtë kampit politik, dhe atyre që donë një demokraci funksionale, kërkojnë një betejë të madhe ndërmjet dy partive. Nuk e duan betejën e dikurshme - të ashpër, pa shije dhe me tensione - por as nuk e dëshirojmë një marrëveshje ku me çdo kusht na përfshihet slogani i sigurisë së Kosovës dhe të mirës së kombit. Kjo është sa për forcimin e ndërgjegjes së liderëve. Por, e vërteta është tjetër gjë. E vërteta është mungesa e dëshirës për betejë. Mungesa e dëshirës për ballafaqim dhe konfrontim idesh, me qëllim të margjinalizimit total të Dacit dhe Haradinajt si liderë, dhe partive të tyre respektive. Nëse kemi një balotazh në Pejë dhe Deçan, por edhe në Gjakovë, dhe kemi një marrëveshje për Prishtinën pa ndonjë betejë idesh elektorale, kjo do të rezultojë me fitore të sigurt dhe monopoliste. Ky është eliminim me marrëveshje i një force politike që për momentin nuk i rrezikon fare dy partitë e mëdha, por mundohet të bëjë një opozitë. Fjala është për fitoren kundër Ramush Haradinajt dhe AAK-së. Një gjë është harruar. Marrëveshja e bërë "nga lartë" nuk mund të thuhet se do të ketë ndikim edhe në votuesin e LDK-së dhe PDK-së, që kujtesën e tyre ta shkëpusin nga e kaluara. Kujtesa dhe frika për betejë mund të shndërrohet në marrëveshje të liderëve që ndërtojnë politikë elitiste dhe me interesa konkrete, por jo gjithmonë kjo informatë arrin ta ndërgjegjësojë një qytetar tek i cili janë ende prezentë zhgënjimi dhe kujtimet e së kaluarës. Është shumë e mundshme që kjo marrëveshje e pashpallur të arrijë efekt të kundërt. Jo se do t'i dërgonte votuesit e PDK-së dhe LDK-së në një parti tjetër, por duke e ndjerë të sigurt fitoren shumë nga ata ndoshta nuk do të dalin fare në votim. Këtë gjë nuk e kanë menduar ata që e kanë paragjykuar këtë marrëveshje dhe e kanë definuar si fitore të sigurt të PDK-së dhe LDK-së.
(*) Marrë nga "Express"