English

EULEX Made in Serbia

Serbia e pat pranuar UNMIK-un vetëm atëherë kur UNMIK-u nuk e pranoi Kosovën si shtet, por pjesë të Serbisë nëpërmjet Rezolutës 1244. EULEX-i u pranua nga Serbia vetëm atëherë kur ai u angazhua se do të vijë në Kosovë me Rezolutën 1244 dhe ‘neutral ndaj statusit', pra kundër pavarësisë së vendit tonë

Nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

Afërsisht 25 vetura të EULEX-it u kthyen me kokëteposhtë sot nga aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Aksioni e kundërshtonte praninë e EULEX-it në Kosovë, dhe të gjitha veprimet e tij në dhe për vendin tonë, përfshirë protokollin që EULEX do ta nënshkruajë me Serbinë për bashkëpunim me policinë kriminale të këtij shteti kriminal. Pra, jo vetëm Protokollin. Sepse Protokolli i paralajmëruar është vetëm simptoma më e re. EULEX-i është sëmundja. EULEX-i i cili thirret në sundimin e ligjit por pjesëtarët e të cilit bashkë me familjet e tyre kanë imunitet prej ligjit; EULEX-i i cili thirret në mbështetjen e institucioneve të Kosovës të cilave nuk iu jep llogari dhe mbi të cilat ka fuqi ekzekutive!

Policia e Kosovës përfshirë njësitet speciale të kësaj policie intervenuan dhunshëm gjatë aksionit të sotëm, me ç‘rast arrestuan 21 aktivistë të Lëvizjes. Ky intervenim i policisë la të lënduar aktivistin Skender Blakaj nga Burimi, i cili është dërguar në klinikën emergjente në QKUK-së, ku po qëndron policia në pritje për ta arrestuar.

Aktivistët e Lëvizjes Dardan Molliqaj dhe Fatmir Haziri janë rrahur keq nga policët gjatë rrugës për në staconin policor dhe brenda tij. Fatmir Haziri është rrahur nga polici me numër 8062. Po ashtu është rrahur edhe aktivisti Kujtim Kosumi nga polici me numër 8676, si dhe aktivisti Salih Mehmeti nga polici me numër 8272. Një numër i aktivistëve, përfshirë Dardan Molliqajn dhe Naser Shatrin, janë kërcënuar edhe me pasoja për personin e tyre pas daljes nga arresti, me fjali të llojit "Kur të dilni keni punë me ne…"

Këta janë policët e Kosovës të cilët thonë se punojnë për mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës, ndërkohë që janë të gatshëm për ballafaqim zyrtar e jozyrtar për mbrojtje të pronës së një misioni i cili u është vendosur këtyre policëve përmbi, dhe qartazi dhe me këmbëngulësi po ia hap rrugën shtrirjes së Serbisë brenda Kosovës.

Serbia e pat pranuar UNMIK-un vetëm atëherë kur UNMIK-u nuk e pranoi Kosovën si shtet, por pjesë të Serbisë nëpërmjet Rezolutës 1244. EULEX-i u pranua nga Serbia vetëm atëherë kur ai u angazhua se do të vijë në Kosovë me Rezolutën 1244 dhe ‘neutral ndaj statusit', pra kundër pavarësisë së vendit tonë.

EULEX-it për nga prania, mandati dhe misioni, ekziston në Kosovë po sikur UNMIK-u: në marrëveshje me Serbinë. Ekzistenca e tij është dashur të kalojë nëpërmjet miratimit të Serbisë. EULEX-i e ka partner të bashkëpunimit Serbinë, kurse institucionet e Kosovës po i trajton sikur mjete të nënshtruara për arritjen e qëllimeve të veta.

Nuk është problemi kryesor se Hashim Thaçi e Fatmir Sejdiu janë nënshtruar nga EULEX-i. Çështja është se ata janë nënshtruar me plot vullnet. Ata po përfitojnë personalisht nga ky nënshtrim i tyre që e bënë në emër të Kosovës.

Ata kanë zgjedhur realizimin e interesave personale nëpërmjet korrupsionit, në vend të përmbushjes së interesave të Kosovës nëpërmjet vetëvendosjes. Atyre po iu pëlqen kjo pozitë nënshtruese dhe po gjejnë kënaqësi në këtë gjendje.

EULEX-i po e trash bashkëpunimin me Serbinë në kurriz të Kosovës. Hapi i fundit në këtë drejtim është Protokolli policor EULEX-Serbi. Në këtë protokoll kufiri Kosovë-Serbi quhet ‘kufi administrativ, e jo kufi ndërshtetëror.

Ky nuk është, madje, as neutralitet - kështu kufirin tonë e quan vetëm Serbia. Prandaj, meqë EULEX-i është i prodhuar në Serbi, xhipat e tyre me targa EULEX, realisht janë xhipa të zinj me targa 000 BG, të cilët ne sot i praptuam. Ashtu siç duhet kthyer kokëteposhtë sistemi politik që e mirëmban EULEX-in në Kosovë.

Komentoni zhvillimet:

KOMENTE