English

Kamëz, nis ndërtimi i një Qendre Kulturore shumëfunksionale sipas standardeve evropiane

Kamzë, 25 Gusht NOA - Në qytetin e Kamzës ka filluar ndërtimi i një qendre kulturore shumë-funksionale, e cila do të jetë një portë që do t'u shërbejë qytetarëve të kësaj zone të jenë më afër kulturës dhe artit.

Specialistët e urbanistikës pranë Bashkisë së Kamzës thanë sot për agjencinë e lajmeve NOA, se "Qendra kulturore është një projekt i ri dhe një investim i rëndësishëm që po realizon Qeveria shqiptare në bashkëpunim me Bashkinë e Kamzës".

Projekti është bërë me financimet e Bashkisë Kamëz, e cila do të financojë 30 për qind të vlerës së investimit për ndërtimin e Qendrës Kulturore.

Ndërtim në total ka një vlerë 185 milionë lekë. Objekti ka filluar që të ndërtohet tek lulishtja e Qendër Kamzës, e cila ruan vijën e ndërtimit të përcaktuar nga studimi urbanistik i qendrës së qytetit.

Ekspertët bëjnë të ditur se, kapacitetet e kësaj qendre janë të mëdha dhe ajo do të ndërtohet sipas parametrave dhe standardeve të Komunitetit Evropian.

"Qendra social-kulturore është parashikuar me tre kate mbi tokë dhe një nën tokë. Ajo do t'u shërbej disa fushave të artit, do të disponojë një sallë shumë-funksionale me kapacitet rreth 190 vende për aktivitete si konferenca, si dhe dy salla të tjera me kapacitet 50 dhe30 vende për aktivitete të ndryshme", - shprehen specialistët.

Është vendosur po ashtu, dhe një ambient për përgatitjen e aktiviteteve dhe ekspozitave të ndryshme si dhe do të ketë ambient për galerinë e arteve.

Përpos këtyre në katin e parë të saj është salla e shfaqjeve (teatri) me kapacitet rreth 420 vende si dhe kinema.

Duke qenë një objekt i një rëndësie të veçantë, në ndërtimin e qendrës moderne kulturore të gjitha materialet e ndërtimit do të jenë të certifikuara me parametrat e komunitetit evropian", - shprehen specialistët e Urbanistikës.

Afati i përfundimit të punimeve, sipas kontratës është dymbëdhjetë muaj nga fillimi i punimeve, përfundon brenda vitit 2010.

Fillimet e punimeve kanë nisur me 15 qershor 2009. Aktualisht ka përfunduar kati nën dhè, dhe kati përdhe pritet që t'i hidhet soleta. Ritmet e ndërtimit janë shumë të shpejta dhe cilësore.

Bashkia e Kamzës thotë se pikësynimi i saj është për ta zhvilluar qytetin si në drejtimin ekonomik, shoqëror edhe në atë kulturor.

Qyteti i Kamzës është një qytet me premisa të mëdha me një të ardhme evropiane, i cili me rritjen dhe zhvillimet e përshpejtuara që ka marrë vitet e fundit, krahas infrastrukturës bashkëkohore, ndërtimeve masive, gjelbërimit, rritjes së bizneseve dhe shërbimeve të tjera ka mundur të sigurojë edhe projektin për ndërtimin e një qendre kulturore.

Kjo qendër do të ndërtohet me vizionin për të realizuar ëndrrën e të gjithë artistëve jo vetëm të qytetit të Kamzës, por edhe më gjerë.

/e.n/b.a/NOA/

KOMENTE