Tiranë, 25 Gusht NOA - "Dita e kontaktit me klientin", një nismë që ndërmerret për herë të dytë brenda 3 vjetësh, është zhvilluar sot në Tiranë, në funksion të zbatimit të strategjisë së Postës Shqiptare për të qenë sa më afër klientit.
Në këtë iniciativë, grupe të organizuara nga Posta Shqiptare në nivel Drejtorie të Përgjithshme si dhe të pranishëm nga filialet e kompanisë, me anë të një pyetësori i cili po u shpërndahet qytetarëve, synojnë të arrijnë të identifikojnë mangësitë, vërejtjet e sugjerimet e tyre për përmirësimin e punës së Postës gjithmonë në shërbim të klientit.
"Posta Shqiptare, nën moton "Klienti është Mbret", katër vitet e fundit ka sjellë ndryshimin rrënjësor të saj si kompani shërbimesh e orientuar drejt klientit si në gamën e shërbimeve që ofrohen në funksion të lehtësirave ndaj qytetarëve, ashtu edhe në përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e cilësisë së tyre", - deklaroi sot për agjencinë e lajmeve NOA, Bruno Gjymshana, zëdhënës i Postës Shqiptare.
Gjithashtu, duke qenë në procesin e rikonstruksionit të zyrës postare qendër Tiranë dhe dihet që një pjesë e mirë e klientëve përdorin atë për shërbimet e tyre, një pyetje e posaçme kërkon të njohë perceptimin e klientit rreth shërbimeve që kryejnë ose jo në këto zyra.
"Duke dashur që të jemi mbështetës të plotësimit total të nevojave të klientëve tanë, gjatë ditës së klientit do të kërkohen vërejtje apo sugjerimet e tyre të cilat konsistojnë në atë se çfarë do të donin ata që ne të përmirësojmë në të ardhmen në punën tonë në mënyrë që ata të ndihen sa më komod kur paraqiten në zyrat postare", - ka detajuar Gjymshana.
/e.n/NOA/
Â
Â