English

LSI, Vasili: Ministria e Brendshme të luftojë krimin e rrugës

Tiranë, 25 gusht NOA - Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili ka dalë sot në një konferencë për shtyp me anë të së cilës i ka bërë thirrje Ministrisë së Brendshme të intensifikohet te krimi i rrugës.

"Ne jemi këtu që të tërheqim vëmendjen e forcave të rendit që krahas betejave të tyre dhe sakrificat me të cilat përballen ata përditë, nuk duhet zbehur aspak vëmendja ndaj goditjes, zbulimit në kohën e duhur dhe sa më shpejt të këtij fenomeni aspak të këndshëm që po vihet re me shqetësim të madh nga shumica e qytetarëve. Njëkohësisht ne i sugjerojmë Ministrisë së Rendit në mënyrë të veçantë që ajo të intensifikojë dhe të ndërtojë një raport sa më intensiv me qytetarët për sigurimin e informacionit sa më të plotë, në kohë reale, duke siguruar dhe konfidencialitetin e informatorëve me qëllimin e vetëm kapjen dhe izolimin e këtij kontingjenti që ka filluar të kthehet në një problem shqetësues për komunitetin" deklaroi Vasili. Vasili shtoi se LSI mbështet Policinë e Shtetit në betejën e saj për të fituar qoftë me krimin ordiner apo dhe me atë të organizuar. ndërkohë përpos deklaratës për luftën e krimit të rrugës, Vasili u është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve lidhur kohën e zhvillimit të negociatave me PD-në për krijimin e Qeverisë së re.

"Marrëveshja PD-LSI është një vendim madhor dhe historik i Konventës së LSI-së, që është dhe forumi më i lartë i LSI-së, dhe ky vendim jo vetëm që është i patjetërsueshëm dhe i pakthyeshëm, por është dhe obligim madhor i LSI-së që nga Kryetari i saj dhe deri tek anëtari i thjeshtë. Procesi i negocimit është në fazën e tij përgatitore, qoftë në mënyrë të planit programor, e cila përbën dhe sfidën dhe risinë e re. Sepse kjo është një marrëveshje historike që nuk ka vënë asnjëherë në balancë interesat partiake, por ka vënë në radhë të parë dhe kjo është lehtësisht e lexueshme për këdo njeri normal dhe për mijëra qytetarë që e mendojnë kështu, pra ka vënë në plan të parë integrimin, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e vendit. Në këtë pikëpamje po punohet në pjesën programore, në këtë platformë e cila përbën thelbin dhe zemrën e kësaj marrëveshje, e cila në përputhje me afatet kushtetuese dhe jo më parë, do të konkludohet në ditët e para të Shtatorit" deklaroi vasali.

Ndërsa pyetjes së gazetarëve në lidhje me deklaratën e disa ditëve më parë të 5 anëtarëve të kryesisë që kërkojnë distancimin e LSI-së nga kjo marrëveshje me PD-në, Petrit Vasili deklaroi se komentet e tyre nuk kanë të bëjnë me ndonjë thelb politik, por që janë thjesht komente të nivelit të zëdhënësve të Bashkisë së Edi Ramës, nuk janë në interesin politik madhor ku ndodhet vendi dhe LSI-ja për tu marrë me ta.

k.k/NOA

KOMENTE