English

Lufton me vdekjen shqiptari i prekur nga "gripi i derrave" në Greqi

Nga bashkëpunëtori ynë në Athinë

Athinë, 25 Gusht NOA Update - I riu shqiptar i identifikuar si i prekur me virusin e rrezikshëm H1N1, po lufton me vdekjen në spitalin grek të Athinës, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.

Jani Metushi, emigrant 25 vjeçar nga Shqipëria me qëndrim të rregullt prej vitesh në Greqi, gjendet në spitalin shtetëror të Athinës "Evangjelizmos", në gjendje të rëndë për jetën, thanë sot autoritetet greke të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ata konfirmuan se 25-vjeçari është prekur nga gripi Α (ΗΙΝΙ) i njohur edhe si gripi i derrave dhe prej ditës së Diel në mbrëmje gjendet në repartin e Reanimacionit.

Veç shenjave klasike të këtij gripi, i riu paraqiste edhe probleme serioze me frymëmarrjen dhe zemrën dhe ai është duke iu nënshtruar ndërhyrjes mjekësore, tha sot, Niki Gotcopulu, përfaqësuese e Ministrisë greke të Shëndetësisë.

Autoritetet shprehën shqetësim të veçantë për faktin se ndryshe nga të prekurit e tjerë, i riu shqiptar ka dhe probleme serioze me zemrën, që sipas të dhënave nga mjekët, vijnë për shkak të prekjes nga virusi i gripit të derrave.

Ky është rasti i 80-të serioz i të prekurve nga gripi i derrave. Dy ditë më parë, një 23-vjeçar ndërroi jetë për shkak të infektimit me virusin fatal Α (ΗΙΝΙ).

/n.s/b.a/NOA/

KOMENTE