English

Obama i konfirmon mandatin e dytë kreut të Bankës Qendrore Amerikane

Washington, 25 gusht NOA-Presidenti amerikan Barak Obama emëroi kreun e tanishëm të bankës qendrore amerikane për një mandat të dytë, duke vlerësuar udhëheqjen e tij gjatë asaj që ai e quajti një prej krizave më të rënda ekonomike me të cilën janë përballur Shtetet e Bashkuara dhe bota ndonjëherë.

Presidenti Obama tha sot se kurajoja e Ben Bernankes, krijimtaria dhe temperamenti i tij kanë ndihmuar në shmangien e një Depresioni të dytë. Zoti Obama e vlerësoi kreun e Rezervës Federale gjithashtu për trajtimin e krizës dhe sistemit financiar në prag të shkatërrimit me qetësi dhe mençuri. Presidenti i bëri komentet nga vendi ku ndodhet për pushime në Masaçusets.

Emërimi nga presidenti Obama i Ben Bernanke për një mandat të dytë si kreu i Rezervës Federale do t'i japë këtij të fundit mundësinë për të garantuar që gabimet të mos përsëriten.

Pas emërimit, zoti Bernanke premtoi se do t'u siguronte amerikanëve bazat e përparimit dhe begatisë nëse konfirmohet nga senati amerikan. Mandati i tij i tanishëm do të përfundojë në vitin 2010.

Ndërkohë, shumë ekonomistë e kanë quajtur recesionin e tanishëm amerikan si rënien më të madhe ekonomike që nga Depresioni i viteve 1930. Ben Bernanke është autori i një libri mbi Depresionin e Madh dhe disa ekonomistë, si dhe shumë investitorë e konsiderojnë atë si ekspert mbi këtë çështje.

Gjatë krizës së tanishme, zoti Bernanke i ka bërë thirrje qeverisë të ndërmarrë masa të fuqishme për të parandaluar një katastrofë ekonomike. Ai mbështeti planet stimuluese qeveritare si nën administratën e ish presidentit Bush ashtu edhe nën administratën e presidentit Obama. Ai ishte përkrahës i masave qeveritare për të parandaluar shkatërrimin e institucioneve financiare si dhe ka nxitur reformat në sistemin financiar amerikan.

Në një fjalim kohët e fundit, zoti Bernanke tha se megjithëse pasojat e recesionit mund të kishin qenë shumë më të rënda, vendi ende përballet me sfida të mëdha.Â

KOMENTE