Prishtinë, 25 gusht NOA- Pas presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, edhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka dënuar sot aksionin e Lëvizjes "Vetëvendosje", duke përsëritur qëndrimin se institucionet e vendit nuk e përkrahin Protokollin e EULEX-it për bashkëpunim me Serbinë në fushën e sigurisë, por çdo veprim i dhunshëm kundër pjesëtarëve dhe aseteve të këtij misioni është i papranueshëm.
"Qëndrimi i Institucioneve të Kosovës, është shumë i qartë edhe sa i përket idesë së nënshkrimit të protokollit, sepse protokolli sikur edhe gjashtë pikëshi, i takojnë së kaluarës" tha i pari i qeverisë së Kosovës.
Thaçi pohoi se në vazhdimësi ka takime të rregullta më përfaqësuesit ndërkombëtar, por se qëndrimi i tij dhe institucioneve të Kosovës, sa i përket protokollit nuk ndryshon.
Përmes një komunikate për media Qeveria e Republikës së Kosovës dënoi veprimet e dhunshme të cilat siç thuhet kishin për qëllim atakimin dhe shkatërrimin e logjistikës së Misionit të Bashkimit Evropian për Drejtësi dhe Sundim të Ligjit (EULEX).