English

Për shqiptarët nuk ka shkencë, diskriminim i shkencëtarëve shqiptarë në Maqedoni

Shkup, 25 gusht, NOA - Në Ministrinë e Shkencës së Maqedonisë, e cila është në kuadër të Ministrisë së Arsimit ndihet i pranishëm një diskriminim i madh i kuadrove shqiptarë, por edhe anashkalimi i plotë i shkencëtarëve shqiptarë.

Të punësuar të kësaj ministrie kanë theksuar se kërkojnë trajtim më të mirë në këtë dikaster dhe përfaqësim më dinjitoz të shqiptarëve, dhe jo siç ka ndodhur, siç thonë ata "degradimi i rëndë".

Në këtë institucion, shqiptarët nuk përfaqësohen në piramidën udhëheqëse. Nga gjithsej 40 të punësuar, vetëm tre veta janë nëpunës shqiptarë.

"Në këtë dikaster shqiptarët nuk janë askund. Nuk dëgjohet zëri i tyre. Edhe ata që ishim avancuar tashmë jemi degraduar nga partnerët VMRO-DPME dhe BDI. Jemi të degraduar dy apo tre shkallë më poshtë me sistematizimin e fundit të qeverisë", kanë theksuar të punësuar në këtë dikaster.

Përveç kësaj, në këtë ministri, shkencëtarët shqiptarë vazhdojnë të jenë të anashkaluar, për shkak se deri tani nuk janë bërë thirrje publike dhe fushata për të nxitur shkencëtarët e rinj shqiptarë që të jenë pjesë e projekteve të kësaj ministrie.

"Edhe nëse i sjellin shqiptarët projektet e tyre, jemi të vetëdijshëm se ato do të hidhen në shportë, sepse kemi një komision 100 për qind të përbërë nga maqedonasit", kanë theksuar të punësuarit.

Të rallë janë ata shkencëtarë shqiptarë që kanë shijuar ndihmën e këtij institucioni për të realizuar dhe implementuar edhe praktikisht projektet e tyre shkencore.

NOA-INA

KOMENTE