Kamëz, 25 gusht, NOA -Â Në qytetin e Kamzës ka filluar ndërtimi i një qendre kulturore shumëfunksionale, e cila do të jetë një portë që do t'u shërbejë qytetarëve të kësaj zone të jenë më afër kulturës dhe artit.
Specialistët e urbanistikës pranë Bashkisë së Kamzës shprehen se ndërtimi i kësaj qendre është një projekt i ri dhe një investim i rëndësishëm që po realizon qeveria shqiptare në bashkëpunim me këtë institucion. Projekti është bërë me financimet e Bashkisë Kamëz, e cila do të financojë 30% të vlerës së investimit për ndërtimin e Qendrës Kulturore, ndërsa mdërtimi në total ka një vlerë 185 milion lekë.
Objekti ka filluar që të ndërtohet tek lulishtja e Qendër Kamzës, e cila ruan vijën e ndërtimit të përcaktuar nga studimi urbanistik i qendrës së qytetit.
Ekspertet bëjnë të ditur se, kapacitetet e kësaj qendre janë të mëdha dhe ajo do të ndërtohet sipas parametrave dhe standardeve të Komunitetit Evropian. "Qendra social-kulturore është parashikuar me tre kate mbi tokë dhe një nën tokë. Ajo do t'u shërbejë disa fushave të artit, do të disponojë një sallë shumëfunksionale me kapacitet rreth 190 vende për aktivitete si konferenca, si dhe dy salla të tjera me kapacitet 50 dhe 30 vende për aktivitete të ndryshme", shprehen specialistët.
Është vendosur edhe një ambient për përgatitjen e aktiviteteve dhe ekspozitave të ndryshme si dhe do të ketë ambient për galerinë e arteve. Përveç këtyre në katin e parë të saj është salla e shfaqjeve (teatri) me kapacitet rreth 420 vende si dhe kinema. Afati i përfundimit të punimeve, sipas kontratës është dymbëdhjetë muaj nga fillimi i punimeve, përfundon brenda vitit 2010. Fillimet e punimeve kanë nisur me datë 15. 06. 2009.
n.e/NOA
Â