Tiranë, 25 gusht, NOA - Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar raportin përfundimtar të vëzhguesve të saj mbi procesin zgjedhor të 28 qershorit në vendin tonë.
Duke marrë në konsideratë të gjitha aspektet e tij, duke nisur që nga faza parapërgatitore me fushatën e partive, hartimin e listave zgjedhore apo pajisjen e popullatës me karta identiteti, e deri tek nxjerrja e rezultatit, ku organizëm joqeveritar vë re se procesi ka qenë i mbarsur me shkelje, megjithë risitë dhe disa arritje të ndryshme nga herët e mëparshme.
Sipas raportit në fjalë, arritjet kanë patur të bëjnë konkretisht me përcaktimin me ligj, të disa masave të posaçme për të siguruar shanse të barabarta gjinore; detyrimin për pajisje të votuesve me karta identiteti apo sanksionimin e sistemit proporcional rajonal si edhe mbikëqyrjen e procesit të votimit me kamera, por edhe të numërimit.
Ndërsa shkeljet që ka konstatuar Komiteti Shqiptar i Helsinkit, kishin të bënin së pari me mosfunksionimin sipas tij të komisioneve zgjedhore.
"Vëzhgimet tona konstatuan se KZAZ-të edhe mbas ngritjes nuk funksionuan në mënyrë normale. Ato nuk aritën të verifikonin siç duhej kushtet dhe kriteret e caktuara sipas Kodit zgjedhor", thuhet në raport.
Por edhe lidhur me listat e zgjedhjeve, për të cilat thuhet në raport se ato u shpallën me disa ditë vonesë.
Ndërsa lidhur me problematikën e ndeshur gjatë fushatës zgjedhore, raporti i KSHH-së citon se gjatë saj skena politike u shfaq tepër e polarizuar midis partive politike PD dhe PS.
"Është e vërtetë se Kodi Zgjedhor nuk e ndalon një gjë të tillë, por duke ndjekur disa nga takimet, mitingjet dhe përdorimin e mjetet propogandistike, krijohet përshtypja se shpenzimet për fushatën kanë qenë të mëdha. Në të njëjtën kohë ka munguar dhe transparenca lidhur me burimin e këtyre të ardhurave", citon raporti.
Duke shtuar ndër të tjera se gjatë fushatës sidomos muajin e fundit u vërtetuan dhe disa incidente të provokuara nga militantë partiakë edhe se në disa raste vëzhguesit e KShH-së kanë raportuar se administrata publike dhe shkollat janë përdorur për qëllime elektorale.
Por raporti nuk ka harruar të vërë në dukje as problematikën e pajisjes së popullatës me karta identiteti, duke theksuar mangësitë e tij.
Ndërsa mbi procesin e votimit thuhet se në këto zgjedhje janë evindetuar disa raste të votimit familjar ose në grup duke cënuar kështu parimin themelor të fshehtësisë së votës.
Por Komiteti Shqiptar i Helsinkit, nota kritike paraqet në raportin përfundimtar mbi zgjedhjet e 28 qershorit, edhe mbi procesin e numërimit të votave.
"Asnjë nga GNV-të nuk përfundoi procesin e numërimit brenda orës 17:00 të datës 29 qershor siç parashikon kodi. Gjatë monitorimit në KZAZ-të nr. 20, 41, 50, 51, 57 sistemi i kamerave nuk funksionoi në rregull", citohet në raport.
n.e/NOA