Në një artikull të publikuar në mars, gazeta Times theksoi se Ban nuk po dëgjohet pothuajse fare sa i përket ushtrimit të trysnisë në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë ndërkombëtare dhe është joefikas kur bëhet fjalë për ndryshimet klimatike. Javën e kaluar, gazeta norvegjeze Aftenposten e përkeqësoi edhe më shumë këtë situatë edhe ashtu të pakëndshme
Nga Reuters Ban Ki Moon po përballet me një vit aspak të mirë për të. Pikërisht në gjysmën e mandatit të tij pesëvjeçar si sekretar i përgjithshëm i OKB-së, ai është përballur me vlerësime negative nga Financial Times, The Economist, Times, Foreign Policy dhe nga mediat tjera. Në një artikull të publikuar në mars, gazeta Times theksoi se Ban nuk po dëgjohet pothuajse fare sa i përket ushtrimit të trysnisë në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë ndërkombëtare dhe është joefikas kur bëhet fjalë për ndryshimet klimatike. Javën e kaluar, gazeta norvegjeze Aftenposten e përkeqësoi edhe më shumë këtë situatë edhe ashtu të pakëndshme. Kjo gazetë publikoi një raport të besueshëm, në të cilin u vlerësua puna e deritanishme e Banit, raport ky të cilin zëvendësambasadorja e Norvegjisë në OKB, Mona Juul, ia dërgoi Ministrisë së Jashtme në Oslo. Raporti i Juulit është mjaft tronditës dhe është bërë nga një prej kontribuuesve më të mëdhenj financiar të OKB-së në botë. Ajo thekson se Ban vuan nga "mungesa e karizmës". Ajo e përshkruan Banin si një "vëzhgues të pafuqishëm" gjatë luftimeve në Shri Lankë në fillim të këtij viti, kur me mijëra civilë u vranë në kuadër të ofensivës së forcave të qeverisë kundër kryengritësve tamilë. Në Darfur, Somali, Pakistan, Zimbabve dhe Kongo, shkroi Juul, duket se "apelet pasive dhe jo gjithaq të vendosura të Banit po hasin në veshë të shurdhër". Ajo më tutje theksoi se edhe vizita e Banit në Myanmar ishte e dështuar dhe se disa zyrtarë në Washington i referohen atij si "sekretar i përgjithshëm me vetëm një mandat". Raporti i Juulit vjen në një moment mjaft të pakëndshëm. Ban planifikon ta vizitojë Oslon gjatë javëve në vijim, ku synon të takohet me zyrtarë të qeverisë dhe ta vizitojë Arktikun për të parë nga afër efektet e ngrohjes globale dhe shkrirjen e akullit polar. Zyrtarët e OKB-së frikësohen se gazetarët do të jenë më të interesuar të dëgjojnë nga ai se çfarë ka për të thënë për raportin e Juulit. Deri me tash, Bani nuk ka reaguar ndaj këtij raporti. Sidoqoftë, një diplomat norvegjez ka theksuar se zyra për shtyp e Banit është këshilluar që ta frenojë konfirmimin e vizitës së tij në Norvegji, menjëherë pas publikimit të raportit të Juulit. Por, problemet e Banit nuk kanë filluar këtë vit. Në vitin 2008, gjatë një fjalimi të mbajtur në Torino, Bani foli mbi vështirësitë për ta përmirësuar kulturën e punës brenda OKB-së. Ai me këtë rast duket se pranoi se stili i tij për menaxhim të brendshëm ka dështuar. "Tentova të kryesoj me shembuj, por askush nuk më përcolli", theksoi Ban. Bashkëpunëtorët e Banit e mbrojnë atë në vazhdimësi, duke theksuar se ai po trajtohet në mënyrë jokorrekte nga ana e shtypit. Një zyrtar i OKB-së sugjeroi privatisht se Bani shumë lehtë "mund të dëshmohet si sekretari më i mirë i përgjithshëm i të gjitha kohërave". Sipas diplomatëve në New York, kryeministri i Australisë, Kevin Rudd, është në mesin e atyre që po e kryesojnë fushatën kundër mandatit të dytë të Banit. Në raportin e Juulit u theksua se Helen Clark, ish-kryeministre e Zelandës së Re dhe kryesuese aktuale e programit për zhvillim të OKB-së, mund të jetë rivale e Banit gjatë betejës së tij për mandatin e dytë. Por, diplomatët presin se SHBA-ja, Britania dhe fuqitë tjera të mëdha do ta mbështesin me ngurrim mandatin e dytë të Banit, ndoshta vetëm për arsye se nuk ekziston ndonjë alternativë tjetër e cila do të mbështetej nga Rusia dhe Kina. Në artikullin e publikuar së fundi në gazetën Times, u theksua se shefi më i mirë në historinë 64 vjeçare të OKB-së nuk ka qenë laureati suedez i çmimit Nobel për paqe, Dag Hammarskjold, por diplomati peruan Javier Perez de Cuellar, i cili për dhjetë vjet ka ushtruar funksionin e sekretarit të përgjithshëm, deri në vitin 1992. De Cuellar më tepër e ka preferuar diplomacinë prapa skenës. Një nga sukseset e tij më të mëdha ka qenë menaxhimi i Luftës së Ftohtë dhe nxitja e shteteve anëtare të OKB-së për ta mbështetur operacionin e kryesuar nga SHBA'ja për dëbimin e forcat irakiane nga Kuvajti, në vitin 1991. Mbetet të shihet nëse preferenca e Banit për diplomaci të heshtur do ta prodhojë të njëjtin sukses.