Durrës, 26 gusht, NOA Update - Një autobus është përplasur me një bordurë, pa shkaktuar lëndim të pasagjerëve por duke dëmtuar vetëm shtyllën e semaforit, pasi shoferi dështoi në përpjekjen për të frenuar.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, në zonën e Hekurudhës në qytetin e Durrësit, informon korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA.
Policia e Durrësit, në një komunikim për mediat, tha sot se autobusi ka qenë i linjës Elbasan-Durrës me targë EL 2553 C i drejtuar nga 52-vjeçari Nikolla Rasa.Nga veprimet e para hetimore rezulton se kjo përplasje ka ndodhur për arsye se mjeti ka pasur problem në sistemin e frenimit.
Drejtuesi e ka konstatuar defektin në frenim dhe për të shmangur një aksident më të rëndë në pasoja, ka mundur të bëjë manovrime në drejtim të bordurës ndarëse të rrugës.
Në atë segment rrugor ndodhej dhe patrulla e policisë, e cila ka arritur të menaxhojë në kohë situatën e krijuar, duke ofruar ndihmën e mundshme. e.n/NOA