English

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Fullani: Kujdes me deficitin

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 26 Gusht NOA Update - Banka e Shqipërisë i ka kërkuar sot publikisht qeverisë që të bëjë kujdes me deficitin buxhetor, tregues ky i cili mat diferencën mes shpenzimeve që qeveria bën në raport me të ardhurat.

Shqetësimi i vetëm i Bankës së Shqipërisë mbetet ruajtja e deficitit në nivelin e 4.2 për qind, shifër kjo e miratuar në buxhetin e shtetit të këtij viti.

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori Ardian Fullani deklaroi se në kushtet aktuale niveli i deficitit të programuar mbetet i vështirë për t'u mbajtur.

"Banka e Shqipërisë gjykon se ruajtja e stimulit fiskal në këto nivele është e papërballueshme në një periudhë afatmesme. Për këtë arsye, ne do të vlerësonim marrjen e masave për respektimin e nivelit të parashikuar të deficitit buxhetor për vitin 2009 dhe fokusimin e buxhetit të shtetit në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik për vitin 2010 e në vazhdim", - tha guvernatori Fullani.

Duke folur për kursin e këmbimit dhe rreziqet e mundshme që ai paraqet guvernatori u shpreh se kompanitë kanë tentuar të gjenerojnë valutë për t'i paraprirë bilanceve të fundvitit dhe ky fakt ka këtë nivel kursi.

Për sa i përket të ardhmes rreziqet mbeten evidente. Pasiguria në lidhje me zhvillimet e ardhshme në kursin e këmbimit mbetet një rrezik i mundshëm për gjenerimin e presioneve inflacioniste.

Gjatë konferencës për shtyp guvernatori i Bankës së Shqipërisë pohoi faktin se gjatë muajit qershore kredidhënia pësoi rënie.

Ky fakt ka ardhur si rezultat i shtrëngimit të kritereve që kanë zbatuar bankat, nga rritja e shpejtë e kredive të këqija.

Këshillimi Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka mbajtur të pandryshuar normën e interesit të lekut në masën 5.75 për qind.

/r.l/b.a/NOA/

KOMENTE