Heshtazi, edhe institucionet, por edhe qytetarët e Kosovës, janë pajtuar që kur bëhet fjalë për veriun e vendit dhe serbët lokalë, të tregojnë durueshmëri prej gomari. Mirëpo, askush nuk është mirë ta testojë këtë durim kur flitet për raportet në mes të Kosovës dhe të Serbisë
Nga Berat Buzhala
"Edhe mes miqve mund të ketë dallime mendimesh dhe përkitazi me këtë protokoll, ne ende kemi pikëpamje të ndryshme". Kjo ishte përgjigja - shumë cinike - që shefi i EULEX'it e pati dhënë pas takimit me udhëheqësit e vendit, duke justifikuar sjelljen e misionit të tij, lidhur me mundësinë e nënshkrimit të një protokolli të bashkëpunimit me Ivica Dacic, shef i policisë serbe. Miq, në ketë rast, Yves de Kermabon, pandehte t'i llogariste Kryeministrin dhe Kryetarin e Kosovës. Kur ke miq si Kermabon, çka të duhen të tjerët...? Asgjë personale në ketë rast. Kermabon, ndoshta përnjëmend i llogaritë Thaçin dhe Sejdiun në rrethin e miqve të tij. Ndoshta. Ndoshta edhe kosovarët i ka në mesin e popujve favoritë. Ndoshta. Mirëpo, çka na duhet një mik si Kermabon, i cili në raport me armikun tonë Numër Një dhe kontestuesin Numër Një të pavarësisë së Kosovës - Serbinë, jo që nuk ka qëndrim neutral, por është në anën e tij? Kermabon dhe këshilltarët e tij, apo i gjithë misioni i tij, në momentin e parë që iu dha mundësia për të nënshkruar një marrëveshje, e nxorën prej raftit për ta konsultuar Rezolutën 1244. Çka tjetër mund ta dëmtojë perspektivën e Kosovës më shumë se kjo rezolutë? Çka tjetër mund ta mjegullojë të ardhmen politike dhe ekonomike të vendit tonë më shumë se sa kjo rezolutë dhe nëndokumentet tjera që dalin prej saj? Prandaj jo revolta, jo padëgjueshmëria qytetare, por edhe mjetet tjera arsyetohen nëse është në pyetje mbrojtja e pavarësisë së vendit. Apo jo? Si mund të mendojmë ndryshe kur, ta zëmë, një ditë më parë, ambasadori i sapoardhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell, në takim me udhëheqësit tanë u zotua se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme? E për çfarë pavarësie të pakthyeshme mund të flasim, nëse një mision legal ndërkombëtar si EULEX'i, provon me çdo kusht ta relativizojë atë, qoftë edhe përmes një marrëveshjeje krejtësisht periferike, por që në fund të fundit është formale, zyrtare dhe e përdorshme prej shtetit serb për propagandë? Prandaj, protestën e lëvizjes Vetëvendosje!, edhe institucionet e vendit, por edhe misioni i EULEX'it më shumë se sa një aktivitet brutal dhe huliganesk, do të ishte mirë që ta shikonin si mesazh për të analizuar pak më hollësisht nënshkrimin e marrëveshjeve me vendet fqinje. Sidomos duhet analizuar më mirë ato marrëveshje që e kanë ndërmend t'i nënshkruajnë me shtetin më fqinj tonin, Serbinë. Secila fjalë në ato marrëveshje do të duhet të analizohet deri në detaje. Disa fjalë që mund të gjenden në ato marrëveshje mund të tingëllojnë shumë më brutale se sa disa vetura të rrokullisura në asfalt. Heshtazi, edhe institucionet, por edhe qytetarët e Kosovës, janë pajtuar se kur është në pyetje veriu i vendit dhe serbët lokalë, të tregojnë durueshmëri prej gomari. Janë pajtuar që standardet tona me serbët tanë të jenë jashtëzakonisht të buta, gati të mos ekzistojnë fare. Mirëpo, askush nuk është mirë ta testojë ketë durim kur janë në pyetje raportet në mes të Kosovës dhe të Serbisë. Kjo është një temë tjetër, brenda së cilës fshihen vetëm kujtime të këqija. Kurse shteti serb, kur janë në pyetje Kosova dhe banorët e saj, edhe më tutje investon vetëm në kujtime të këqija. Për shembull, ka rastisur njëherë pas përfundimit të luftës që një avion që po udhëtonte për në Kosovë të kërkonte zbritje urgjente në aeroportet e Serbisë. Qëllojani cila ka qenë përgjigja e autoriteteve serbe? Edhe më kusht që spirrat do t'i shkonin avionit në miliona copa, ai nuk u lejua të futej në hapësirën territoriale të Serbisë. Kurse sot e kësaj dite, Serbia nuk ia jep në shfrytëzim hapësirën e territoriale asnjë avioni që ka për destinim Kosovën. Javën e kaluar kam shkruar se si ai shtet nuk është në gjendje ta bëjë asnjë koncesion - qoftë edhe më humanin - për banorët e Kosovës. Kurse, me krejt fuqinë që e ka në dispozicion dhe me aktivitete publike ndërhyn në punët tona të brendshme. Prandaj, reagimin e lëvizjes Vetëvendosje!, të martën në Prishtinë, të gjithë duhet ta shohin në ketë frymë. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me një lëvizje radikale që nuk pajtohet me asgjë. Përkundrazi, në ketë rast ky aktivitet ishte vetëm një reagim ndaj provokimeve për një lloj bashkëpunimi krejtësisht të pasinqertë dhe joparimor në mes të policisë së Serbisë dhe asaj të EULEX'it. Për t'u shmangur prej skenave të tilla, mekanizmat ndërkombëtarë që veprojnë në Prishtinë është mirë që ta rishohin edhe njëherë strategjinë e tyre të bashkëpunimit rajonal.Â
(*) Kryeredaktor, "Express", Prishtinë