English

MPJ, Basha: Humbja e Senatorit Kenedi, e rëndë

Tiranë, 26 gusht NOA - Ministria e Punëve të Jashtme shprehu pasditen e sotme, hidhërimin e thellë për humbjen e burrit të shtetit, politikanit të respektuar, personalitetit të shquar amerikan, Senatorit Eduard (Ted) Kenedi.

Tek Senatori Kenedi, si pjesëtar i një prej familjeve më të shquara të demokracisë amerikane, populli shqiptar ka parë jo vetëm politikanin e përkushtuar dhe largpamës, por edhe një mik të vendit të tij, i cili ka kontribuar në zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve tona, - thuhet në mesazhin e Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha.

Më tej ai vlerëson se Senatori Kenedi ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në përhapjen e lirisë në botë, si një njeri me vizion largpamës dhe idealist dhe si një qytetar i madh i vendit të tij.

"Senatori Kenedi, një figurë udhëheqëse në skenën politike amerikane për dekada të tëra, ishte gjithashtu një njeri me kontribute të shquara jo vetëm në Senatin amerikan, por edhe më gjerë", - thekson Basha.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme tha se i shpreh familjes, Kongresit dhe popullit amerikan ngushëllimet më të thella dhe të sinqerta për këtë humbje të rëndë.

/b.a/NOA/

Â

KOMENTE