English

Ndahet nga jeta vëllai i presidentit Kenedi, senatori Eduard Kenedi

Uashington, 26 gusht, NOA - Eshtë ndarë nga jeta senatori demokrat amerikan, Eduard Kenedi dhe sipas familjes së tij ai vdiq dje në mbrëmje vonë nga një tumor në kokë prej të cilit vuante qysh në maj të vitit të kaluar.

Senatori Eduard u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare. Ai do të mbahet mend si senatori me kohë më të gjatë në detyrë, si "luani liberal" i Senatit dhe njëkohësisht, anëtari më i vjetër i Partisë Demokratike, në të cilën bën pjesë edhe presidenti Barak Obama.

Ai ishte më i riu mes vëllezërve Kenedi, Eduard Kenedi u vu në krye të dinastisë politike të familjes pas vrasjes me atentat të vëllezërve të tij, presidenti Xhon Kenedi dhe senatori Robert Kenedi. Gjatë karierës së tij, senator Kenedi ishte një përkrahës i zjarrtë për reformimin e kujdesit shëndetësor, mbrojtës i pagave të punëtorëve dhe i të drejtave të barabarta. Në muajin gusht, presidenti Barak Obama i dha atij Medaljen Presidenciale të lirisë, nderi më i madh civil në Shtetet e Bashkuara. n.e/NOA

KOMENTE