English

PS, Bushati: Berisha nuk mund të tallet me fatin evropian të Shqipërisë

Tiranë, 26 gusht NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati me anë të një deklaratë të dhënë mesditën e sotme ka theksuar se konstatimet e PS-së për korrupsionin elektoral nga PD gjenden edhe në raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

"Raporti i fundit publikuar nga KSHH në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit 2009 konfirmon atë që Partia Socialiste në mënyrë të përgjegjshme ka disa muaj që denoncon para opinionit publik: vota e sovranit u deformua përmes një korrupsioni elektoral para, gjatë dhe pas fushatës dhe shfaqja më e shëmtuar në historinë e zgjedhjeve qysh pas vitit 1996, ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i kthyer në një instrument ilegal përmes vendimmarrjesh ilegale e tërësisht politike" deklaroi Bushati.

Sipas tij, raporti në të njëjtën frymë me atë të misioneve ndërkombëtare rikonfirmon për të disatën herë shkeljet në procesin zgjedhor që ndikuan në tjetërsimin e votës, shkelje që kanë të bëjnë me mohimin e votës për një kategori të konsiderueshme të qytetarëve shqiptare, abuzimin me asetet shtetërore dhe presionin mbi nëpunësit e administratës publike, parregullsitë me listat e votimit, votimin familjar, mos aplikimin korrekt të bojës shënjuese që shmang votimin më shumë se një herë, vendosjen e qendrave të votimit në ambiente private të militantëve të Partisë Demokratike, dhe ndërhyrjet e presionet gjatë procesit të numërimit.

"Arkitekti i manipulimit të vullnetit popullor nuk mund të fshihet pas këtij realiteti që sa vjen e rëndohet edhe për shkak të krizës ekonomike që ka mbuluar familjet shqiptare, nëpërmjet takimeve të improvizuara me personalitete në pension të jetës evropiane. Berisha nuk mund të tallet me fatin evropian të Shqipërisë, kur qeveria e tij ka dështuar pikërisht me plotësimin e standardit kryesor evropian që është mbajta e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Prandaj, misioni ynë si opozitë do të jetë në funksion të mbrojtjes së demokracisë së kërcënuar" përfundoi Bushati.

k.k/NOA

Â

KOMENTE