English

Thaçi thirrje EULEX: Më i qartë në qëllimin e misionit në Kosovë

Prishtinë, 26 gusht NOA-Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se nuk do të ketë kompromis ndaj atyre që pengojnë kthimin e njerëzve në shtëpitë e veta si dhe ka kërkuar që Misioni i Bashkimit Europian të jetë më i qartë dhe më i vendosur.

Kreu i Qeverisë i bëri këto komente i pyetur për situatën në lagjen Kroi i Vitakut ku shqiptarët sërish janë penguar nga grupe serbësh që të vazhdojnë rindërtimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës.

Kryeministri Thaçi tha se Qeveria e tij ka strategji për kthimin në pronat e tyre të të gjithë kosovarëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.

"Qeveria ka strategji të integrimit dhe kthimit të njerëzve në pronat e tyre pa dallim. Ajo që ka ndodhur dje (e marte) nuk do të duhej të ndodhte. Njerëzit kanë të drejtë të kthehen dhe këtë nuk mund ta mohoj askush dhe kanë përkrahjen qeveritare', ka thënë ai gjatë një vizite në Komunën e Vitisë, të mërkurën.

Kreu i Qeverisë ka përdorur fjalor të ashpër ndaj radikalëve serbë të cilët gjatë muajve të fundit kanë përdorur edhe dhunën për të penguar rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në pjesën veriore të vendit.

"Do të jemi të pa kompromis ndaj atyre njerëzve që i pengojnë njerëzit të punojnë në pronat e tyre dhe gjithë atyre banditëve që përdorin kallashnikovët. EULEX'i duhet të jetë më i qartë dhe më i vendosur", ka theksuar Kryeministri Thaçi.

KOMENTE