Prishtinë, 26 Gusht NOA - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, ka organizuar sot mbajtjen e provimit "Matura Shtetërore 2009" në të cilin rreth 13 mijë maturantë kanë sprovuar dijen e tyre të fituar ndër vite gjatë shkollimit paraprak.
Maturantët duhet të japin përgjigje të sakta në 50 për qind të pyetjeve për ti hapur vetes perspektivën e shkollimit të mëtejshëm në Arsimin e Lartë.
Rezultatet e Maturës Shtetërore për afro 13 mijë djem dhe vajza nga Republika e Kosovës, pritet të publikohen më 3 shtator, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.
Mësohet se rezultatet që do të publikohen në fillim të muajit të ardhshëm, i përkasin 13 mijë maturantëve të cilët dështuan në afatin e parë dhe kanë hyrë për herë të dytë në testin e maturës.
Në të vërtetë, regjistrimi në fakultetet universitare në Kosovë, do të jetë i mundshëm për 13 mijë maturantët, vetëm nëse ata më 3 shtator do të marrin rezultat pozitiv në testin e tyre të dytë.
"Maturantët duhet të japin përgjigje të sakta në 50% të pyetjeve për ti hapur vetes perspektivën e shkollimit të mëtutjeshëm në Arsimin e Lartë", deklaroi sot, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Provimi
Sipas informatave nga terreni, provimi ka filluar në kohën e duhur në shumicën e qendrave shkollore, ndërsa ka pasur vonesa në raste kur janë paraqitur nxënës të cilët dëshironin të hyjnë në provim por që nuk i kishin për mbushur obligimet paraprake administrative.
Kjo ka shkaktuar kokëçarje tek administratorët por ky problem është tejkaluar duke u shtyrë për një orë fillimi i provimit.
"Është më mirë të presim një orë se sa ti lëmë ata nxënës që të presin një vit shansin tjetër", - tha Kryetari i KQSHM-së, Nehat Mustafa, me rastin e vizitës së maturantëve në Shkollën Fillore "Dardania" dhe në Shkollën Fillore "Hasan Prishtina"- Prishtinë.
Zëvendësministri i Arsimit Agim Hyseni i pranishëm krahas drejtorit të DKA të Prishtinës Agim Gashi, ka thënë se MASHT ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme.
"Ne kemi siguruar kushte optimale që maturantët të shpalosin njohurit e tyre të fituar ndër vite gjatë shkollimit paraprak", - tha Hyseni.
Sipas tij, ky është një rast i ri që ata t'i hapin vetes perspektivën e shkollimit të mëtejmë , të aftësimit profesional për të qenë të dobishëm për veten e tyre në radhë të parë dhe për shoqërinë.
Hyseni ka uruar nxënësit që të kenë sukses në këtë provim të rëndësisë jetike për ta.
Nehat Mustafa, kryetar i KQSHM theksoi se "provimi ka filluar në kohën e duhur në mbi 90 % të qendrave testuese, por kemi edhe shkolla ku kemi një vonesë të konsiderueshme dhe një gjë e tillë ka ndodh për shkak se një pjesë e maturantëve nuk kanë qenë në dijeni që është dashur ta bëjnë paraqitjen e provimit të maturës" "Ne si KQSHM, - vijoi Mustafa, - pas konsultimeve që kemi bërë kemi konsideruar që më mirë është ta kemi një vonesë në proces për një orë në fillim të provimit të maturës se sa mos t'u lejohet maturantëve të cilët nuk e kanë paraqitur provimin të hynë në provim".
"Konsiderojmë, - shtoi ai, - se të gjitha përgatitjet për këtë proces janë bërë me kohë".
Mustafa lajmëroi më tej se "i kemi shtypur mbi 13 mijë e 500 teste, kemi pasur mbi 20% rezerva të testeve në mënyrë që mos të kemi probleme".
Informacione nga terreni flasin se në shumicën e shkollave procesi ka ecur si duhet por Mustafa paralajmëroi se "nëse paraqiten parregullsi eventuale në ndonjërën qendër atëherë se si KQAHM do të jemi të detyruar të veprojmë konform ligjit".
Zëvendësministri Hyseni dhe Kryetari i KQSHM-së Mustafa, kanë bërë të ditur se nuk do të ketë ulje të kriterit të kalueshmërisë dhe se testi i maturës, sa i përket pyetjeve është i ndryshëm nga ai i qershorit.
Por ata pranuan se pyetjet janë nga brendia e programeve orientuese që janë shpërndarë për afatin e qershorit 2009. Pra nxënësit duhet të japin përgjigje të saktë në 50% të pyetjeve, ndërsa në rast s'konstatohen parregullsi apo kopjime, definitivisht do të anulohet provimi. Ndërkohë, një numër i konsiderueshëm nxënësish, të pyetur se a është i përballueshëm testi (Provimi) janë shprehur pozitivisht.
Kurse kanë shtuar se "pyetjet janë të logjikshme dhe rezultati nuk do të mungojë".
Rezultate e provimit pritet të bëhen publike më datë 3 shtator 2009.
/a.b/b.a/NOA/ Lexoni më shumë mbi argumentin:
Testimi i dytë, dështojnë më shumë se gjysma e maturantëve në Kosovë
Asnjë universitet privat në Kosovë, ministri i Arsimit: "Vendimi, për vënie rregulli"
Nis testi i Maturës Shtetërore 2009 në 97 qendra shkollore të Kosovës