Londër 27 gusht NOA-Mike Perham, adoleshenti nga Hertfordshire, përshkoi 38700 kilometra me jahtin e tij dhe kur përfundoi lundrimin deklaroi se dëshironte vetëm një drekë të mirë dhe një natë gjumë.
Më pak se 250 persona në historinë tonë kanë arritur të udhëtojnë të vetëm përreth globit, por rekordi i Perham është në rrezik sepse një vajze 13 vjeçare nga Holanda ka ndër mend të kryejë të njëjtën aventure.
Gjithsesi vajza 13 vjeçare duhet më parë të fitojë një gjyq që është hapur nga disa organizata për fëmijët dhe shëndetit të cilat janë kundër këtyre udhëtimeve për minorenet.
Perham, i cili filloi të lundronte në moshën shtatë vjeçare, ishte personi i parë që lundroi përmes Oqeanit Atlantik në vitin 2007 kur ishte vetëm 14 vjeç.
Perham e nisi udhëtimin e tij ndërmjet Ushant, në veri të Francës dhe Lizart Point, në jug të Anglisë më 18 nëntor të një viti më parë kur ishte 16 vjeç dhe ditëlindjen e tij të 17 e festoi i vetëm në jug të Oqeanit Indian.
Ai lundroi me një "Jaht 50 i hapur" dhe gjatë udhëtimit hasi disa probleme teknike dhe u detyrua të ndalonte për riparime në disa porte të botës. Dhe për shkak të këtyre ndalesave, Libri i Rekordeve Guinness e cilësoi rekordin e tij si të "asistuar".
Perham deklaroi se ishte gjithmonë i bindur se do ta përfundonte udhëtimin e tij por kishte pasur momente kur e pyeste veten se çfarë ishte duke bërë.
"Por e mbledh veten dhe arrin t'ia dalësh", deklaroi ai për BBC.
"Isha i bindur për pasojat e të qenurit vetëm dhe është pikërisht vetmia pjesa më e vështirë e udhëtimit sepse nuk të gjendet askush për të ndihmuar kur ke nevojë dhe vërtetë ke nevojë për kontakt fizik", deklaroi ai.
Një udhëtim të ngjashëm përpara Perham e përfundoi amerikani Zac Sunderland një muaj më parë, por nuk u njoh nga Libri i Rekordeve Guinness.
Craig Glenday, kreu i komisionit të dhënies së çmimeve për rekordet Guinnes, e përshkroi udhëtimin e Perham si një përpjekje heroike.
"E tregon Majkun si një të ri unik, ëndrra e të cilit u realizua me vendosmëri dhe përkushtim absolut", deklaroi Glenday.
m.i/NOA