Tiranë, 27 gusht NOA - Zëdhënëses së Kryesisë, njëherësh deputete e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli doli sot në një deklaratë për shtyp ku bëri të ditur se mbledhja e Kryesisë së kësaj partie ka qenë transparente në dy çështjet kryesore.
"Mbledhja e djeshme e Kryesisë së Partisë Socialiste diskutoi rreth organizimit të Kongresit dhe procesit të zgjedhjes së kryetarit të PS. Në mbledhje u ra dakord që t'i sigurohet publikut transparencë e plotë për dy çështje kryesore për të cilat është thirrur kongresi i jashtëzakonshëm" tha Kodheli.
Sipas saj çështja e parë e diskutuar në Kongres ishte, për të vërtetën e krimit elektoral të 28 qershorit duke iu dhënë mundësinë shqiptarëve të shohin një pjesë të provave dhe fakteve që pohojnë katëcipërisht deformimin e procesit zgjedhor dhe të rezultatit që rrjedh prej tij.
"Së dyti, transparencë e plotë për platformat politike të kandidatëve që do të konkurrojnë për kryetar të PS, duke mundësuar transmetimin e drejtpërdrejtë edhe të kësaj seance për publikun.
Në kryesi mbizotëroi mendimi që është e nevojshme kryerja e një reforme statusore dhe e rregullave që normojnë funksionimin e Partisë Socialiste, e cila nuk duhet të jetë e diktuar nga ndërhyrje pjesore dhe në kushtet e emocionalitetit të konkurrimit politik" shtoi me tej Kodheli.
Zëdhënësja tha se "Kryesia në shumicë gjykoi dhe konkludoi se kongresi duhet t'i hapi rrugë një procesi analize, konsultimi dhe debati të gjerë në parti rreth kësaj reforme,
proces i cili brenda një afati të arsyeshëm ti paraqitet kongresit të ardhshëm për miratim.
Kryesia shprehu vullnet të plotë për të mbështetur dhe administruar një proces konkurrimi ndërmjet kandidatëve për kryetar të PS konform kodit zgjedhor të partisë duke iu garantuar akses të plotë të gjithë kandidatëve nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në të gjithë piramidën e strukturave që do të merren me organizimin e këtij procesi; pra votimin, numërimin dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve, përmes rregullave dhe kushteve të njëjta dhe të barabarta për secilin nga  kandidatët".
k.k/NOA
Â
Â