Tiranë, 28 gusht NOA Update - Konfirmohen në Shqipëri edhe 9 persona të tjerë me gripin e derrit AH1N1. Analizat e 9 rasteve të dyshuara me virusin e gripit të derrit kanë mbërritur sot në mbrëmje nga laboratori i referencës në Bukuresht të Rumanisë.
Lajmi është konfirmuar për agjencinë NOA nga mjeku infeksionit Pëllumb Pipero.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik deri tani janë analizuar rreth 500 mostra me grip të marra nga të gjitha spitalet rajonale të vendit.
Pas një testimi të shpejtë të kryer në laboratorin e virologjisë në ISHP, një pjesë e tyre është nisur drejt Rumanisë për tu konfirmuar nëse janë të prekur nga virusi AH1N1.
Bashkë me rastet e reja të konfirmuara sot në mbrëmje, në Shqipëri rezultojnë të prekur me gripin e derrit rreth 29 persona ndërsa kanë shkuar për konfirmim në Rumani dhe 9 mostra të tjerë.
Mes rasteve të prekura nga AH1N1 janë dhe dy fëmijë të shtruar në spitalin e Pediatrisë në Tiranë.
Sipas buletinit epidemiologjik që ISHP publikon dy herë në javë thuhet se përveç këtyre dy rasteve pediatrie, pjesa tjetër janë mosha të rritura 20 deri në 40 vjeç cka rikonfirmon dhe njëherë se virusi i ri prek moshat aktive.
m.i/NOA