English

Kosovë, problematik niveli i varfërisë te shumë banorë

Nga Prishtina, Silvana Bardhi Prishtinë, 27 Gusht, NOA/BBC - Katër motra e vëllezër, fëmijë të njërës prej lagjeve të Prishtinës e kanë sajuar një kënd të vogël lojërash pranë disa barakave të vjetra të cilat thonë se janë shtëpitë e tyre.

Në atë vend ku në dimër ngrijnë e në verë duhet të durojnë të nxehtin, fëmijët mundohen të mos pranojnë realitetin në të cilin jetojnë.

Suela është motra më e madhe e cila sivjet hyn në klasë të dytë. Ajo rrëfen se dëshiron të ketë jo vetëm lojëra por edhe një shtëpi të vërtetë ku mund të jetojë.

"Mua më ka thënë një shoqe që do të shkojmë në banesën time, do të luajmë me kukulla por ajo s'më ka marrë. Mua më mungon shtëpia, një shtëpi e mirë," thotë Suela.

Babai i katër fëmijëve, Xhavit Pacolli ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai thotë për BBC-në se askush nuk kujdeset për gjendjen e familjes së tij. Ndihmat e vetme që përfiton i jepen nga Kryqi i Kuq i Prishtinës dhe ndihma sociale prej 70 eurosh.

"Një herë prej komunës i kam bërë tre ose katër kërkesa, me zor ka dalë inspeksioni, një fotografim e ka bërë dhe askush nuk më ka ardhur më në derë. Kam shkuar prapë, dy herë në muaj shkoj në Komunë, lajmërohem për sigurime dhe kërkesa, thërrasin sot ose nesër por askush nuk më ka ardhur në derë. Kur s'ke të ardhura për të blerë barnat, duhet të dalësh në rrugë të kërkosh punë, nëse nuk gjen punë duhet të kthehesh në shtëpi e të fillosh të qash, çfarë të bësh tjetër?"

Bashkëshortja e tij, zonja Mevlude Pacolli thotë se shtëpia në të cilën jeton nuk ka kushtet minimale për jetë. Dy dhomat e saj janë të pabanueshme për shkak të lagështirës e cila bëhet edhe më kërcënuese gjatë dimrit.

"Po pikon në të gjithë shtëpinë, kam frikë se i zë fëmijët, i kam katër fëmijë të vegjël, vetëm ankohem, jam e sëmurë, ankoj nga boshti kurrizor, nga unazat. Jam ftohur se dimri ka qenë shumë i fortë, tani e kam shumë të vështirë se fëmijët i kam të vegjël. Shkurt të të tregoj, jemi keq për një strehim," thotë zonja Pacolli.

Varfëria në Kosovë cilësohet të jetë një prej problemeve thelbësore të shoqërisë.

Statistikat flasin për një përqindje të lartë të varfërisë së skajshme e cila arrin në 15 për qind dhe papunësisë prej 50 për qind.

Varfëria nuk ka prekur vetëm popullatën shqiptare. Një prej komuniteteve që gjithmonë ka reaguar për gjendjen e mjerueshme në të cilën jeton është ai serb.

Radmilla Saviç është 90 vjeçe dhe jeton në Prishtinë e vetmuar dhe pa përkrahje. Ajo nuk dëshiron t'i bashkohet familjes së saj në Serbi, pasi siç thotë, nuk dëshiron të braktisë shtëpinë në të cilën ka jetuar për 70 vjet me rradhë.

"Unë nuk kam fëmijë, të gjithë njerëzit e mi janë në Serbi, ata më vizitojnë por më lënë prapë këtu. Jetoj vetëm me Zotin, burri më ka vdekur para dhjetë vitesh. Jam sëmurë dhe më dhembin këmbët. Ende mundem të kujdesem vetë për veten megjithëse një fqinj më ndihmon për t'u pastruar. Vetë përgatis ushqimin, një herë për 3 katër ditë, shpesh herë ha ushqim të thatë, me fqinjët jetoj mirë, shpesh më pyesin nëse më duhet diçka dhe unë për këtë jam e kënaqur," thotë zonja Saviç.

Një tjetër komunitet, ai rom, ashkali dhe egjiptian, konsiderohen si më të prekurit nga varfëria e skajshme. Të ardhurat e tyre nuk mjaftojnë për konsum të përditshëm dhe, siç thonë ata, detyrohen të kërkojnë lëmoshë.

Selvie Berisha thotë se kushtet e jetës së familjes së saj janë mjaft të rënda.

"Kur del djali të lypë, e marr një thes detergjent, 2.5 euro, 3 euro, bën vaki që e le veten pa bukë duhet me e marr një thes detergjent se duhet të lahesh… prapë, mundet të durosh pa bukë, pastërtinë duhet ta bësh… Kam një nuse, edhe ajo i ka katër fëmijë, ajo del të lypë me beben saj, ajo nuk ka asnjë lloj ndihme.

S'di çfarë të të them, më kanë hequr nga ndihma sociale, m'i kanë kërkuar raportet e mjekut, ua kam dërguar, raportet e burrit të sëmurë ja kam dërguar, dokumentet e fëmijëve ua kam dërguar, pastaj më kanë refuzuar, më kanë thënë se je e aftë për punë," thotë zonja Berisha.

Ndonëse raportet e fundit të Bankës Botërore flasin ende për një shkallë mjaft të lartë të varfërisë në Kosovë, qeveria e vendit thotë se në Kosovë ka rënie të shkallës së varfërisë.

Këshilltari politik në Ministrinë e Mirëqenies sociale Behxhet Gaxhiçi thotë për BBC-në se ka rënie të numrit të kërkuesve për ndihmë sociale dhe sipas tij kjo ka ndodhur pas pavarësisë së vendit.

"Pas zgjidhjes së statusit të Kosovës janë zgjidhur disa probleme të cilat vërtetë kanë penguar zhvillimin ekonomik të vendit. Rritje graduale të varfërisë nuk kemi, por ekziston një parametër normal i kësaj gjendjeje, janë 184 mijë persona të cilët përfitojnë ndihmë ekonomike.

Buxheti i cili ndahet çdo muaj për të gjitha kategoritë përfituese si fëmijët me aftësi të kufizuara, pensionistët, invalidët e luftës etj është mesatarisht mbi 2 milionë Euro. Ministria po harton një strategji ku shumë shpejt 80 për qind e problemeve sociale do të zgjidhen," thotë Gaxhiç.

Gjysma e popullsisë së Kosovës, e cila për dhjetë vjet me radhë ka shprehur optimizëm se shkalla e varfërisë së tyre do të ndryshojë, kanë mbetur të zhgënjyer nga premtimet e liderëve bërë në prag fushate.

Ata thonë se përsëri do të jenë të pashpresë, përballë premtimeve të cilat sërish do i dëgjojnë këtë vjeshtë, në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen në Kosovë.

KOMENTE