Senatori Kenedi nuk e realizoi kurrë ëndrrën për t'u bërë president. Karriera e tij politike thuajse mori fund në vitin 1969 kur ai u rrëzua në lumë bashkë me makinën në ishullin Çapakuidik të shtetit Masaçusets
Nga Jim Bertel*
Senatori Kenedi ishte patriarku i familjes më të famshme politike amerikane, ishte njëkohësisht njëri ndër anëtarët më me ndikim të Senatit amerikan. Në maj 2008, ai u diagnostikua me tumor malinj në tru dhe iu nënshtrua operacionit në Karolinën e Veriut.
Në nëntor të po atij viti ai tha se ndihej mirë dhe u kthye në Senat. "E ndjej veten mirë dhe mezi pres të kthehem. Kemi shumë punë për të bërë.
Sidomos mezi pres të punoj së bashku me Barak Obamën". Në muajt e tij të fundit, Kenedi punoi pa shumë bujë për vënien në jetë të përparësisë kryesore legjislative të Presidentit, reformën e kujdesit shëndetësor, të cilën ai e quante kauzën e jetës së tij.
Fillimisht, ai e përdori ndikimin e tij të fuqishëm për të mbështetur kandidatin për president Barak Obama në janar 2008 kur Senatori Obama ishte në betejë me senatoren Hillari Klinton për emërimin e Partisë Demokrate.Â
"E di mirë se çfarë mund të arrijë Amerika sepse e kam parë dhe jetuar vetë. Dhe, me Barak Obamën, ne mund ta bëjmë përsëri". Obama është krahasuar me vëllanë e Ted Kenedit, Presidentin Xhon Kenedi, i cili u vra në vitin 1963.Â
Tragjedia nuk iu nda ambicieve politike të familjes Kenedi. Në vitin 1968, u vra vëllai i tij Robert Kenedi, gjatë kohës që ishte në garë për president. Eduard Kenedi lindi në Boston në vitin 1932. Ai e fitoi vendin si senator më 1962 dhe ka qenë i dyti në historinë e Senatit për nga koha e qëndrimit në këtë detyrë.
Ai e vinte shpesh në shënjestër administratën Bush dhe ka qenë ndër kritikët kryesorë të luftës në Irak. "Z.Sekretar, më duhet të them se paraqitja juaj e sotme më duket paksa e pasinqertë". Por kishte raste që ai kapërcente linjat partiake për të mbrojtur idetë e tij. Për shembull, senatori Kenedi punoi nga afër me Presidentin Xhorxh Bush për miratimin e ligji të rëndësishëm për arsimin.Â
"Njerëzit në kafenenë e Krofordit u habitën kur unë u thashë se kisha simpati për Kenedin. Ai është një senator i shkëlqyer", -Â u shpreh në një rast Presidenti Bush.
Megjithë të kaluarën e famshme politike, Senatori Kenedi nuk e realizoi kurrë ëndrrën për t'u bërë president. Karriera e tij politike thuajse mori fund në vitin 1969 kur ai u rrëzua në lumë bashkë me makinën në ishullin Çapakuidik të shtetit Masaçusets.
Një vajzë që ndodhej në makinë, Meri Xho Kopekni, vdiq gjatë aksidentit. KenedI priti me orë të tëra para se ta raportonte ngjarjen në polici, gjë që e dëmtoi më shumë se çdo gjë imazhin e tij publik.
Në vitin 1980, ai vuri kandidaturën për president në garën brenda demokratëve por humbi ndaj Xhimi Karterit, i cili ishte atëherë president.
Që nga ajo kohë, Kenedi ia kushtoi karrierën punës në Senat. Ai u bë një zëdhënës i palodhur i ideve demokrate dhe si i tillë një shënjestër e preferuar e republikanëve.
Në vitin 2006, Kenedi u përzgjodh nga Revista Tajm si një ndër 10 senatorët më të mirë amerikanë. Revista theksonte se ai kishte marrë pjesë në hartimin e një numri mjaft të madh ligjesh që ndikonin në jetën e thuajse çdo burri, gruaje dhe fëmije në vend.Â
Në gusht të këtij viti, Presidenti Obama i akordoi Kenedit çmimin më të lartë civil të Amerikës, Medaljen Presidenciale të Lirisë.
(*) VOA