Durrës, 27 gusht, NOA - Forcat e policisë kanë arrestuar në flagrancë 22-vjeçarin Erneo Farruku, lindur dhe banues në fshatin Armathë të Shijakut, i dyshuar si autor i një aksidenti rrugor, me pasojë plagosjen e një kalimtari.
Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, Farruku duke drejtuar automjetin e tij tip Land Rover me targë YH 07 ZTK, në rrugën automobilistike Manëz-Maminas, në fshatin e quajtur Rubjekë ka aksidentuar 61-vjeçarin Shefqet Bici, banues i këtij fshati.
Si pasojë e këtij aksidenti, Bici ka pësuar dëmtime trupore dhe tashmë ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Janë kryer veprimet e para hetimore dhe materialet do t'i kalojnë prokurorisë për veprën penale të shkeljes së "Rregullave të qarkullimit rrugor", parashikuar nga neni 290 i Kodit Penal.