English

Pse po ndodh zhvlerësimi i lekut në vendin tonë

Tiranë, 27 Gusht NOA - Atëherë kur pritej e kundërta, monedha shqiptare, leku, jo vetëm nuk u forcua por vijoi të zhvlerësohej.

Kjo ndodhi kur fluksi i emigrantëve dhe i turizmit veror, sipas të dhënave paraprake zyrtare, edhe këtë vit shënoi një rritje domethënëse me rreth 35 për qind.

Mirëpo, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, Leku ka shënuar një rënie rreth 10 për qind.

Eksperti i ekonomisë në institutin Axhenda, Gjergji Filipi, sqaron se përse ka ndodhur kështu këtë vit.

Ai nuk beson se këtë vit ka ndryshuar konteksti sezonal më shumë se konteksti sasior i saj.

"Praktikisht turizmi ka qenë turizëm më i varfër, për shkak se vendet prej nga vinin turistët janë prekur tani nga kjo krizë dhe për shkak se emigracioni ka qenë më i varfër", - thotë Gjergj Filipi në një intervistë dhënë sot radios BBC, seksioni shqip.

Siç është parë dhe nga shifrat publikuar nga Banka e Shqipërisë, dërgesat e emigrantëve janë në terma shumë më të ulët nga ç‘kanë qenë në vitet e tjera në të njëjtën kohë.

Filipi pranon se nuk kemi ende një matje të saktë për periudhën verore, pritet drejt fundit të vitit të bëhet një e tillë, por kemi një matje të saktë që i referohet fillim-vitit 2009 dhe shifrat ishin 7-10 për qind më të ulëta, dërgesat e emigrantëve krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, paralajmërimet janë bërë muaj më parë se ekonomia e Shqipërisë do të ketë një vjeshtë të vështirë. Por a ka ndonjë shenjë për ndonjë tendencë tjetër apo mbeten këto lloj paralajmërimesh?

Gjergj Filipi vlerëson se për fat të keq këto paralajmërime mbeten, të gjitha shenjat i konfirmojnë ato.

"Kemi një defiçit korrent rekord në këto momente që flasim si dhe një defiçit tregtar e të dyja këto bashkë janë në shifrat më të ulëta të shumë kohëve. Madje për defiçitin tregtar besoj se nuk ka arritur ndonjëherë në këto nivele që është tani", - thekson Filipi.

Të kombinuara këto dhe me rënien nga prurjet e emigrantëve, - vijon Filipi, - absolutisht në kontekstin e kursit të këmbimit, situata nuk duket aspak optimiste, por duke shkuar përtej kësaj, për sa kohë që kursi këmbimit është vetëm maja e ajsbergut ekonomik që duket për sa kohë është i bazuar në pjesën që nuk duket siç është shëndeti i ekonomisë shqiptare dhe për sa kohë kjo pjesë nuk po jep shenja që ka mundësi të krijojë fleksibilitetin që duhet të kishte akumuluar në vitet që lamë pas me qëllim që të reagonte karshi këtyre lloj goditjeve edhe unë mendoj që do të hasim së shpejti fazën pasardhëse të goditjes së kësaj krize.

***

Ditët e fundit në nivel politik ka patur një debat në Shqipëri, midis qeverisë dhe opozitës nëse duhen përdorur apo jo rezervat valutore të vendit për të ndihmuar në përballimin e efekteve potenciale të krizës.

Gjergj Filipi mendon se nga praktika moderne e ekonomive të zhvilluara, zakonisht, nuk ndërhyhet me hedhje shumash monetare në treg për të rregulluar kursin e këmbimit, sepse nuk rregullon gjë në njëfarë mënyre.

"Një gotë që derdhet nuk mund t'i shtosh ujë, po nuk ke gjetur ende arsyen pse derdhet. Kjo metodë mund të bëjë një ekuilibrim të shkurtër për një apo dy javë, por do të mbarohen ato rezerva të cilat kanë një shterim të mundshëm", - thekson Filipi.

Nuk mendoj se është zgjidhja më e mirë e mundshme, - shton ai dhe plotëson: "Duhet të kemi parasysh dhe një situatë specifike për ekonominë shqiptare që raporti midis eksporteve dhe importeve është tejet i madh dhe vënia në rrezik e rezervës valutore për të ekuilibruar kursin e këmbimit tani, na ekspozon karshi një rreziku akoma më të madh në të ardhmen kur mund të ketë nevojë me të vërtetë që të ndërhyhet për të rregulluar stabilitetin e kursit në javët e fundvitit apo të fillim-vitit tjetër ku shumë kompani ndërkombëtare dividentët tentojnë t'i kthejnë në valutë për t'i nxjerrë jashtë Shqipërie".

Për Filipin, "ka ca momente kur ka një kërkesë jo të natyrshme të valutës në tregun shqiptar, ka një moment kur këto rezerva hyjnë në punë sidomos në kontekstin e një zhvlerësimi të menjëhershëm të monedhës kur ne na duhet që importet tona t'i blejmë shumë më shtrenjtë pastaj në qoftë se e lëmë që ky zhvlerësim të ndodhi brusk në një periudhë të ardhme. Unë gjykoj se përdorimi rezervave nuk është gjëja më e mundshme që mund të bëjmë tani".

***

Eksperti ekonomik Filipi, një këshillë për ekonomitë individuale. Për atë se çfarë duhet të bëjnë njerëzit e thjeshtë përballë kësaj situate.

Sipas tij, e para që duhet bërë tani është që kursimet mos të mbahen më në monedhën vendase.

Është e qartë, - thotë Filipi, - që vlera e tyre ka rënë, ndërkohë që individët nuk kanë bërë asgjë për t'ia ulur vlerën atyre.

"Ajo që dua të them është që një individ që ka kursyer 10 milion Lekë të reja para 4 vjetësh, ato 10 milionë lekë sot vlejnë shumë më pak euro sesa vlenin para 4 vjetësh kur u kursyen, kjo jo për fajin e individit", - evidenton Filipi.

Sipas tij, e gjithë kjo situatë tregon që monedha lek, nuk është më monedha në të cilën duhet të bazohemi për të bërë parashikimet afatgjata apo ruajtjen afatgjatë të monedhës. Filipi paralajmëron se kjo do ndikojë në njëfarë mënyre në vetvete në rritjen e kërkesës për valutë në treg dhe nuk është ky momenti më i mirë për të bërë këto ndikime.

"Unë këshillën kryesisht e kam për qytetarin dhe jo për politikë-bërjen", - thekson Filipi.

Një aspekt tjetër, - sipas ekspertit, - është që kryesisht të jemi shumë të kujdesshëm me mënyrën e shpenzimit të të ardhurave. Kjo sepse gjithmonë do të ketë ulje të sasisë monetare në dispozicion të individëve, vetëm nga ndryshimi i çmimit apo i kursit të këmbimit.

"Nëse do të blejmë një makinë atë do ta blejmë në Euro, sepse në Shqipëri ka shumë produkte që tregtohen në Euro dhe kjo blerje do të hajë më shumë nga kursimet në Lekë që kishim planifikuar dhe na lë një pjesë më të vogël për ndonjë konsum emergjent të një kategorie tjetër", - thotë eksperti ekonomik.

***

Aktualisht, është periudha e fillim-shkollave dhe shumica e universiteteve në Shqipëri, paguhen në euro. Do të ketë dhe kjo efekt në kursimet e disa familjeve shqiptare.

Ndaj Filipi sughjeron që konsumi të jetë i kujdesshëm, me siguri që kjo bëhet automatikisht me të gjithë konsumatorët, "sepse të gjithë ata e ndiejnë që çmimet e produkteve në treg të vitit nuk patën uljen tradicionale që kanë në sezonin veror, gjë që i bën të gjithë konsumatorët më të kujdesshëm".

KOMENTE