Tiranë, 27 Gusht NOA Update - Përkundër akuzave të kritikëve të Edi Ramës, qëndrimi zyrtar i PS ka qenë i qartë: Kongresi do të jetë i hapur.
Përmes një deklarate për shtyp të shpërndarë për mediat, Armela Imeraj, zëdhënëse e Partisë Socialiste, tha pak orë pas mbledhjes se Kongresi i Partisë Socialiste do të jetë i hapur për mediat.
"Kongresi do të jetë i hapur gjatë prezantimit të raportit për krimin elektoral dhe gjatë paraqitjes së platformave nga kandidatët", - deklaroi Imeraj.
Në këtë mënyrë, u hodhën poshtë pretendimet e Ben Blushi se kongresi do të jetë i mbyllur, gjithsesi, deklarata zyrtare e PS, lë të kuptojë se kongresi do të jetë vetëm pjesërisht i hapur për mediat e për rrjedhojë për publikun e gjerë.
Më herët, Ben Blushi, duke deklaruar se nuk do të kandidonte për kreun e ri të PS, akuzoi se kongresi do të mbahet i mbyllur, pas rrëzimit nga Kryesia, të kërkesave të kritikëve të Edi Ramës.
Ben Blushi, deputeti socialist i Korçës, deklaroi për mediat pak pas mbledhjes se priste që Kongresi i 29 gushtit të mos ngjallë asgjë të papritur.
Ai tha se "në këtë kongres do të kemi vetëm një votëbesim të Edi Ramës për kryetar të PS dhe jo rivalitet apo garë mes emrash kandidatësh".
Në këtë pikë, Blushi theksoi se "Kryesia nuk iu përgjigj thirrjes tonë, kongresi nuk do jetë i hapur do të jetë një kongres me dyer të mbyllura. Kështu kryesia ndërmori hapa prapa".
/b.a/e.l/NOA/
Lexoni lajmin pararendës: Mbledhja e Kryesisë së PS mbyllet pa konsensus, Ben Blushi shpall tërheqjen nga kandidimi