Prishtinë, 27 gusht, NOA - Krerët e politikës në Kosovë janë takuar me përfaqësuesit ndërkombëtarë të pranishëm në Prishtinë për të diskutuar mbi situatën e nxehtë që është krijuar në Mitrovicë dhe mbi protokollin e Eulex me Serbinë.
Ka qenë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, të cilët kanë zhvilluar një takim me ambasadorin e BE, Peter Faith dhe atë të EULEX-it, Yves de Kermabon në Prishtinë, duke u paraqitur atyre shqetësimin rreth gjendjes së acaruar që është shfaqur kohët e fundit në Kosovë, duke përmendur rastet e konfrontimit të shqiptarëve dhe serbëve në Mitrovicë, apo atë të djegies së makinave të Eulex nga ana e anëtarëve të Vetëvendosjes.
Në takim, sipas Presidencës së Kosovës, Sejdiu dhe Thaçi kanë ritheksuar qëndrimin e prerë në kundërshtim të Protokollit të bashkëpunimit të eulex me Serbinë dhe theksuan se me ditën e sotme mbyllet përfundimisht çdo debat dhe bisedë në këtë temë. "Institucionet e Kosovës janë institucione sovrane dhe rrjedhimisht marrin vendime sovrane ne pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Republika e Kosovës nuk merr asnjë obligim dhe përgjegjësi për çështjet për të cilat nuk ka vendosur në mënyrë sovrane", thuhet në komunikatë. Ndërkaq, u theksua se gjendja në Mitrovicë është e papranueshme dhe se duhet të krijohet ambient i përshtatshëm dhe i papengueshëm për kthim në pronat e tyre dhe për rindërtimin e shtëpive për të gjithë qytetarët.
"Dhuna e demonstruar në Mitrovicë dhe demolimi i pasurisë së EULEX-it është e papranueshme dhe institucionet dhe populli i Kosovës e dënojnë në mënyrën më të ashpër", u tha në mes tjerash në takimin e sotëm.
n.e/NOA
Â
Â
Â