Uashington, 27 gusht, NOA - Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përcjellin me një ceremoni dhe nderime madhështore senatorin Eduard Kenedi për në banesën e tij të fundit.
Nga ana e tij, presidenti Barak Obama deklaroi mbi këtë humbje të madhe për kombin amerikan se senatori Kenedi ka dhënë kontribut në barazinë dhe drejtësinë e njerëzve duke e bërë vendin më të drejtë dhe më të barabartë.
"Idetë dhe idealet e zotit Kenedi janë shënuar në shumë ligje dhe pasqyrohen në jetën e miliona njerëzve", ka deklaruar ai.
Ligjvënësit të cilët kanë punuar me z.Kenedi, si edhe të gjithë ish-presidentët amerikanë kanë vlerësuar senatorin Kenedi për aftësitë e tij për të kaluar ndarjet partiake në përpjekje për të miratuar ligje për kujdesin shëndetësor, të drejtat civile, dhe arsimin. Senatori demokrat amerikan, Eduard Kenedi vdiq nga një tumor në kokë prej të cilit vuante qysh në maj të vitit të kaluar, në moshën 77-vjeçare.
Ai do të mbahet mend si senatori me kohë më të gjatë në detyrë, si "luani liberal" i Senatit dhe njëkohësisht, anëtari më i vjetër i Partisë Demokratike, në të cilën bën pjesë edhe presidenti Barak Obama.
Ai ishte më i riu mes vëllezërve Kenedi, Eduard Kenedi u vu në krye të dinastisë politike të familjes pas vrasjes me atentat të vëllezërve të tij, presidenti Xhon Kenedi dhe senatori Robert Kenedi. Gjatë karierës së tij, senator Kenedi ishte një përkrahës i zjarrtë për reformimin e kujdesit shëndetësor, mbrojtës i pagave të punëtorëve dhe i të drejtave të barabarta. Në muajin gusht, presidenti Barak Obama i dha atij Medaljen Presidenciale të lirisë, nderi më i madh civil në Shtetet e Bashkuara. n.e/NOA