Nga Niko Anagnosti
Athinë, 27 gusht NOA/DW - Dërgesat e imigrantëve shqiptarë të Greqisë janë në rënie, pasi arritën kulmin me 1 miliardë euro para dy vjetësh. Dërgesat e imigrantëve priten këtë vit të jenë më pak se 800 milionë euro.
Të ligjshëm ose jo, me ose pa llogari bankare, qindra mijëra imigrantët shqiptarë të Greqisë janë një burim financimi, ose siç thuhet ndryshe "transfuzioni", për ekonominë greke por edhe atë shqiptare.
Jo rastësisht kjo "fuqi e e konsiderueshme financiare" fiksohet në raportet e përvitshme të Bankës Kombëtare Greke, kur siç rezulton 75 për qind e tyre kanë hapur të paktën një llogari nëpër bankat greke.
Ndërkohë nga të dhënat më të fundit rezulton se remitancat e imigrantëve shqiptarë, që jo më larg se para dy vjetësh arrinin në 1 miliard euro, vitin e kaluar shënuan rënie në 800 milionë euro dhe sivjet pritet të reduktohen dhe më tepër.
Në të njëjtin konkluzion me të dhënat statistikore arrin dhe një studim i profesorit asistent të Universitetit të Fakultetit të Studimeve Ballkanike të Universitetit të Maqedonisë Perëndimore Kristos Nikas, me ndihmën siç thotë dhe të studentëve të tij shqiptarë që intervistuan rreth 730 bashkatdhetarë të tyre në pikëkalimin kufitar të Kapshticës.
Përmes gjetjeve të këtij studimi përcaktohet edhe "profili" i imigrantit shqiptar si depozitues dhe dërgues remitancash: "Ekzistojnë dy kategori, ata që elementi që i veçon është niveli i tyre më i lartë arsimor, kanë punë më të mira, përdorin sistemin bankar dhe dërgojnë paret përmes bankave apo llogarive të posaçme. Ekziston edhe një kategori e dytë me nivel më të ulët arsimor, që punojnë part time dhe preferojnë të dërgojnë remitancat vetë ose nëpërmjet miqve të tyre" thotë profesori grek".
Në linjën e të njëjtit konkluzion statistikor të Bankës Greke për tendencën reduktuese të remitancave Nikas e gjen shpjegimin e saj jo aq në krizën aktuale, që ka sigurisht ndikimin e saj, se sa në "fazën e pjekurisë" në të cilën ka hyrë tashmë imigracioni shqiptar: "Kuotat e remitancave ose stabilizohen ose reduktohen, për faktin shumë të thjeshtë se shumë nga shqiptarët, që janë vendosur në Greqi filluan të mendojnë për një qëndrim më afatgjatë se më parë", - thotë bashkëbiseduesi ynë duke sjellë si shembull faktin se 56 për qind e të anketuarve të studimit të tij deklaruan se sollën pjesëtarë të familjeve të tyre në Greqi, në kuadrin e bashkimit familjar.
"Nuk duhet ta shpjegojmë me krizën ekonomike e të themi se për një vit u reduktuan remitancat. Është diçka më afatgjate. Që nga kulmi i viteve 2006-2007 do të kemi këtej e tutje një stabilizim me tendenca uljeje," vazhdon ai duke u bashkuar me mendimin se "kjo është tek e fundit tendenca e imigracionit global".
Shqiptarët, sipas tij, do të vazhdojnë të dërgojnë remitanca dhe në kushtet e krizës, kur një gjë e tillë pohohet dhe nga 68,8 për qind e të anketuarve. Kjo në rastin e asaj kategorie, që veç arsyeve të tjera, siç shprehet dhe në DË, ka lidhje më të forta emocionale me vendin e origjinës. "Unë të gjitha lekët i dërgoj vetëm në Shqipëri. Për shumë arsye, e para ndihmoj atdheun tim, e dyta tani për tani është vend në zhvillim dhe nuk kam frikë se do të më humbasin paret. Ndërsa me krizën që ka rënë kam frikë t'i lë këtu por edhe përqindja është e ulët, 1 për qind".
Për investime, konsum apo ndihmë familjes dhe të afërmve, kjo kategori do t'i mbetet konsekuente traditës së "sakrifikimit" dhe dërgimit të remitancave, kur çdo familje emigranti depoziton nëpër bankat greke sipas studimit 5.390 euro në vit.
Me këtë rrymë bashkohen edhe ata që nevojat imediate i sjellin në Greqi si punonjës sezonalë, si arsimtari Foto Papa: "Gjatë beharit vij e punoj këtu për të mbijetuar, sepse me rrogën që kemi në arsim dhe me vështirësitë nuk ia dalim dot. Me këto kursime arsimoj tre fëmijët, që i kam studentë. Pa këto pare është vështirë".
Ndërkohë ekziston edhe një kontigjent imigrantësh që ndihet aq e integruar sa nuk dërgon asnjë euro në vendlindje. "Quhem Aristotel Nikollori. Nuk kam depozitime në Shqipëri. Këtu ku punoj kam blerë shtëpi, atë pak pasuri që kam bërë e kam këtu. Investoj dhe i shërbej familjes sime këtu në Greqi. Nuk kam asnjë në Shqipëri, as babë, as nënë. I kam këtu".
Ky rol i dyfishtë i emigracionit shqiptar, si burim i konsiderueshëm financiar për ekonominë e të dyja vendeve, bën edhe më të nevojshëm sipas profesorit grek adoptimin e një politike bashkëkohore integrimi të imigracionin shqiptar.