Senatori Eduard Kenedi ishte partizani kumbues, udhëheqësi i padiskutueshëm i liberalëve, legjislator tejet i aftë dhe taktizues. Me kalimin e kohës, do të ketë shumë pretendentë për trashëgimtar të tij
Nga Associated Press
Në korridoret e liberalizmit është vështirë të imagjinohet dikush që do të mund ta mbushë këtë boshllëk. Senatori Eduard Kenedi ishte partizani kumbues, udhëheqësi i padiskutueshëm i liberalëve, legjislator tejet i aftë dhe taktizues, të cilin e kanë përcjellë edhe tragjeditë. Me kalimin e kohës, do të ketë shumë pretendentë për trashëgimtar të tij. Duke e analizuar hartën politike, ekzistojnë disa politikanë specialë dhe të jashtëzakonshëm, të cilët mund ta kryesojnë Partinë Demokratike. Por, askush nuk e mishëron tërësinë të cilën e ka shfaqur Kenedi nëpër korridoret e Senatit, gjatë fushatave zgjedhore dhe në tavolinat e negociatave. Presidenti Barack Obama është cilësuar nga Kenedi si kryesues i gjeneratës së re. Obama ka përfituar shumë nga krahasimi i tij me presidentin John F. Kenedi, vëllanë më të madh të senatorit Kenedi. "Kenedi e ka mbështetur fushatën e tij dhe e ka shndërruar në fushatë personale. Prandaj, shpresat e përkrahësve të Kenedit tani mbështetën tek Obama. Ai është udhëheqësi më i fuqishëm në skenë", thotë Roger Hickey, drejtor i organizatës "Fushata për Ardhmërinë e Amerikës". Por, përderisa Kenedi ka luajtur rolin e udhëheqësit të liberalëve, Obama e sheh veten si një president post-partizan, njeri që është i prirë që t'i shmanget vlerësimeve ideologjike. Kemi edhe Hillary Rodham Clinton, një politikane tjetër e aftë, e cila ka dalë nga hija e mbiemrit të familjes për ta zhvilluar reputacionin e saj personal si një politikane progresive dhe ka krijuar marrëdhënie të mira të punës me armiqtë e saj. Howard Dean, ish kryesues i Komitetit Kombëtar të Demokratëve, i ka mobilizuar të rinjtë për kandidaturën e tij presidenciale në vitin 2004 dhe është angazhuar për reformimin e sistemit shëndetësor. Sidoqoftë, Obama dhe Clinton nuk janë krijesa të Senatit. Për Kenedi'n, Senati ishte çerdhja e tij e përhershme, derisa për Obamën dhe Clintonin Senati qe një stacion kalimtar. Ndërsa, Dean është ish-guvernator i Vermontit, i cili ka marrëdhënie jo edhe aq të mira me demokratët në Washington. Kolegu i vjetër i Kenedit, John Breaux, ish senator nga Lousiana, theksoi se Kenedi do të dëshmohet si një figurë e jashtëzakonshme, e cila nuk mund të zëvendësohet. "Askush nuk ka sfiduar asnjëherë sinqeritetin e tij të të qenit demokrat liberal. Kredencialet kanë ekzistuar, ato janë fituar. Ishte traditë e familjes së tij", theksoi Breaux. Kenedi vdiq në moshën 77 vjeçare. Ai u zgjodh senator kur i kishte vetëm 30 vjet, kurse karrierën dhe aftësitë e tij i kaliti në kohëra të ndryshme. Breaux theksoi se orari aktual i Kongresit prej të martës deri të enjten, i detyron ligjvënësit që të kthehen në shtetet prej nga vijnë, duke iu lënë atyre shumë pak mundësi që t'i forcojnë miqësitë e tyre përtej vijave partiake. Fushatat janë më të ashpra, ndërsa synimi është shkatërrimi i rivalit. Aktivistët ideologjikë kanë megafon me zë më të fuqishëm dhe e mobilizojnë publikun nëpërmjet mediave. Sot, një njeriu si Kenedi, me gjasë nuk do t'i ofrohej shansi. Njëri prej senatorëve i cili u zotua se do ta vazhdojë punën e Kenedit është Christopher Dodd, të cilin Kenedi e kishte cilësuar si vëlla. Dodd theksoi se do ta vazhdojë veprën jetësore të Kenedi't për reformimin e sistemit shëndetësor. Aspak nuk i befasishëm përkushtimi i Dodd për t'u angazhuar në realizimin e synimit jetësor të Kenedit - sigurimin e kujdesit universal shëndetësor për të gjithë. Dodd, demokrat nga Connecticut, ishte mik i Kenedit që nga zgjedhja e Dodd në Senat para tri dekadave. Ata kanë shërbyer së bashku për vite të tëra në Komitetin e Senatit për shëndetësi, arsim, punë dhe pensione, i cili është kryesuar nga Kenedi. I përzgjedhur nga vetë Kenedi, Dodd e zëvendësoi mikun e tij të ngushtë në krye të Komitetit gjatë kësaj vere, kur Komiteti miratoi propozimin për ta zgjeruar mbulimin e sigurimit shëndetësor, që ishte hera e parë kur një organ i Kongresit miratoi planin për reformimin e sistemit shëndetësor. Në zërin e tij të mbushur me emocione, Dodd shpalosi para gazetarëve përshkrimin e muajve të fundit që i ka kaluar me Kenedin. "Nuk më kujtohet koha kur nuk e kam njohur. Është njëjtë sikur kur humb një vëlla. Ai ishte një ligjvënës i jashtëzakonshëm. Ai e ka kuptuar Senatin më shumë se çdokush tjetër", theksoi Dodd. Ashtu si Kenedi, edhe Dodd po lufton me kancerin, të cilin e ka diagnostikuar në prostatë, por në fazën e hershme dhe të shërueshme. Ai tha se sëmundja nuk do të ndalë planin e tij për t'u kandiduar sërish në zgjedhjet për Senat, të cilat zhvillohen vitin e ardhshëm. Tash, me vdekjen e Kenedit, Dodd do të përballet me vendimin e vështirë për marrjen përsipër të udhëheqjes së Komitetit që është kryesuar nga Kenedi, dhe vazhdimin e betejës së mikut të tij për sigurimin shëndetësor.Â