Tiranë, 28 gusht NOA-Një ditë para  kongresit të jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, vazhdojnë debatet brenda radhëve të socialistëve mbi përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Përplasjeve mes mbeshtetësve të kreut të deritanishëm të PS-së Edi Rama dhe atyre që kundërshtojnë qëndrimin dhe rizgjedhjen e tij në krye të PS-së i është shtuar dhe zëri i anëtares së kryesisë së PS-së, Arta Dade. Ndiqni më poshtë intervistën e saj dhënë , BBC.
"Kongresi i jashtëzakonshëm i PS-së mblidhet në një moment shumë të rëndësishëm dhe delikat për jetën e PS-së. Është një kongres që vjen pas zgjedhjeve parlamentare të cilat në këndëvështrimin e PS-së konsiderohen me një vullnet të deformuar të votuesit dhe është për këtë arsye që kongresit do t'i paraqitet një material i cili u është vënë në dispozicion të gjithë partnerëve ndërkombëtarë dhe atyre që kanë vëzhguar zgjedhjet dhe dihet që do të merret në konsideratë edhe qëndrimi i PS-së si forcë serioze e cila me shumë pak diferencë është renditur e dyta në këto zgjedhje. Në fakt si forcë politike PS është e para, për këtë arsye jo vetëm ne, por edhe aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë mendojnë që këto zgjedhje nuk patën fitues, pra PS është forcë e parë në këto zgjedhje, por e ka të pamundur të krijojë qeverinë.
Pra, do të jetë Kongresi ai që do vendosë nëse PS-ja do t'i njohë zgjedhjet apo jo, do të hyjë ose jo në parlament?
Përmes rezolutës në Asamblenë që PS-së ka mbajtur ditët e fundit të muajit korrik është shprehur se këto zgjedhje janë politikisht të papranueshme dhe për këtë arsye ne kemi evidentuar të gjitha shkeljet jo vetëm të kodit zgjedhor, por edhe ato shkelje që zgjedhjet i vlerësojnë si zgjedhje jashtë standardeve të kërkuara për një vend, anëtar të NATO-s tashmë.
A mendoni se ky qëndrim do të përkrahet si nga opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar?
Me opinionin ndërkombëtar ne kemi qenë në kontakte të vazhdueshme, presim raportin e OSBE-ODHIR-it, por gjithsesi si një forcë serioze ne kemi vlerësimet tona për zgjedhjet të cilat kanë ardhur nga strukturat.
Gjithashtu ne i kemi bërë të ditura disa shqetësime per opinionin publik, siç është rasti i lirimit të dënuarve me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pa asnjë bazë ligjore dhe që u përdorën në fushatë.
Këto kundërshti dhe konstatime të PS-së do t'i bëhen me dije kongresit por jo vetëm kongresit, edhe medias sikurse jemi shprehur edhe në konferencat e shtypit dhe konferencat publike që ne kemi mbajtur herë pas here.
Zonja Dade a nuk ju duket ky qëndrim i ngjashëm me atë të PD-së dhe zotit Berisha vite më parë, kur ata humbnin zgjedhjet parlamentare apo lokale?
Kjo nuk ka të bëjë aspak me qëndrimet e PD-së.
Shqipëria ka avancuar në proçeset e përafrimit me strukturat euroatlantike, prandaj përmenda që këto zgjedhje për Shqipërinë ishin tejet të rëndësishme, për avancimin e axhendës europiane dhe mesa duket Europa i ka vëzhguar në mënyrë shumë strikte përpara se të marri në konsideratë aplikimin që ka bërë qeveria shqiptare që Shqipëria të mari statusin e vendit kandidatë dhe më e rëndësishmja është që tashmë Shqipëria është një vend i NATO-s dhe për këtë arsye që për vendet e NATO-s nuk mund të ketë dy standarte.
Kryesia e partisë ka hedhur poshtë një paketë që më së pari duket se ka synuar të rizgjojë zgjedhjen e zotit Rama në krye të partisë pasi ai konsiderohet si shkaktari kryesor i humbjes të zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas statutit mandati i tij është ndërprerë ndërsa vetë zoti Rama është shprehur se do të rikandidojë për postin e kreut të PS-së.
Më lejoni të bëj një korrigjim.
Zoti Rama nga strukturat e partisë nuk konsiderohet shkaktari kryesor, sepse edhe vet firmëtarët e ndryshimeve statutore apo të një flete prej 5 pikash që u avancua në kryesi, e kanë vlerësuar punën e zotit Rama në zgjedhje dhe në mbledhjen e kryesisë që ne kemi bërë menjëherë pas zgjedhjeve.
PS dhe strukturat e partisë e kanë vlerësuar dhe kanë kërkuar që zoti Rama të rikandidojë, është për këtë arsye që ne do të dëgjojmë me vëmendje në kongresin e ditës së shtunë edhe fjalën e zotit Rama, por edhe platformat e kandidatëve potencialë dhe do të përcaktohen dhe rregullat e lojës lidhur me fushatën për zgjedhjen e kryetarit të partisë e cila besoj do të jetë menjëhërë pas kongresit dhe do të përcaktohet nga kongresi kohëzgjatja e saj duke garantuar një transparencë të plotë të fushatës dhe të zgjedhjeve sipas parimit një anëtarë një votë.
Megjithatë zonja Dade mjaft kritikë thonë se PS-ja po vazhdon të vihet në shërbim të një njeriu dhe pikërisht të zotit Rama. Cili është opinioni juaj?
Unë do të vlerësoja nëse këta kritikë do të merreshin pikë së pari me standardet e zgjedhjeve kur dihet që këto zgjedhje kanë qenë një pikë kyçe në çështjen e konsolidimit të demokracisë.
Për fat të keq të gjithë janë marrë me PS-në në vend që të merreshin me standardet e zgjedhjeve, sepse ne fund të fundit vërtet opinioni publik është i interesuar për zhvillimet brenda PS-së, por unë do të parapëlqeja që opinioni publik dhe analistët të mos e tërheqin vëmendjen drejt PS-së, por të merreshin me çështje më të mprehta që kanë të bëjnë me demokracinë në vend, por edhe me situatën social ekonomike dhe unë besoj që ka një tentativë të fshehur për t'i dhënë paterica zotit Berisha, i cili sigurisht do të bënte përpjekje maksimale t'i manipulonte këto zgjedhje, kur dihet që hyri në një fushatë me dosje të frikshme të korrupsionit dhe të krimit shtetëror lidhur me mjaft situata të cilat tashmë opinioni publik vendas e i huaj i ka të qarta dhe është i njohur.
Kryesia e PS-së ka vendosur që kongresi mos të jetë tërësisht i hapur për mediat. Madje këto të fundit kanë cituar zyrtarë të PS-së duke shprehur frikën se mos kongresi kthehet si mbledhja e famshme e KPD-së të vitit 2002.
Në shtypin shqiptar ky zhvillim madje shihet si një rikthim në kohën e PPSH-së. Cili është komenti juaj?
Sigurisht tashmë jemi mësuar në këto 18 vjet të ekzistencës së PS-së dhe mua më vjen mirë që PS-ja vihet në fokus të debateve të opinionit publik. Kjo tregon që ne kemi një demokraci të brendshme të zhvilluar, sepse zhvillimet brenda PS-së kanë qenë gjithmonë në fokus të ndryshimeve dhe kjo nuk ndodh për fat të keq në PD.
Ne jemi anëtarë të Internacionales Socialiste dhe është e përcaktuar dhe në statutin e kësaj internacionaleje që mbledhjet e kongreseve janë të hapura në seanca që gjykon kongresi që të jenë të tilla, ndërsa përsa i përket çështjeve organizative ku padyshim hyjnë edhe diskutimet statutore, këto seanca në të gjithë partitë anëtare të internacionales socialiste janë të mbyllura dhe të gjitha seancat që kanë të bëjnë me çështjet organizative janë të mbyllura.
Pas këtij kongresi mendoni se PS-ja do të dalë më e fortë apo do të ketë një fragmentim të mëtejshëm të saj?
Nuk besoj se duhet të përdorim terminologjinë e kohës së PPSH-së. Kongresi do t'i hapi rrugën zhvillimeve të mëtejshme sikurse dhe fushatës për zgjedhjen e kryetarit të ri. Pra kemi mjaft punë përpara dhe ngutja për të deformuar atë axhendë që do të përcaktohet nga kongresi besoj që nuk do të jetë e frytshme.
m.i/NOA