English

Ata duan t'i bëjnë të tjerët si vetja e tyre

Më parë sesa t'i ngujojë 21 veta në burg, ky dënim synon t'i ngujojë dy milionë njerëz, minus 21 veta. Ku t'i ngujojë kështu? Në shtëpitë e tyre e para ekraneve televizive ku defilojnë zgërdhirjet e krerëve politikë. Të ngujuarit në krye të shtetit duan t'i ngujojnë të gjithë qytetarët. Ata duan t'i bëjnë të tjerët si vetja e tyre

Nga Albin Kurti

Ligji e dënon dëmtimin e pronës. Por, çfarë prone, pronës së kujt e nga kush, për cilat arsye a motive u dëmtua ajo, çka ishte qëllimi i dëmtimit? Me këto merret gjykata. Dhe kjo çështje është gjithsesi politike sepse aksioni ishte politik. Vetëm fakti i ftohtë nuk të bën kriminel. Martin Heidegger shkruante se fakti është ai që është vetëm në dritën e një koncepti. Kur EULEX-i e dënoi aksionin e VETËVENDOSJE!-s duke konstatuar "dëmtim kriminal", ai i parapriu gjykatës mbi të cilën ka fuqi ekzekutive. Jo vetëm për shkak të Protokollit famëkeq, dëmtimi i 25 makinave të EULEX-it ishte dëmtim fare i vogël i një dëmtuesi të madh të Kosovës. Të nesërmen, ndonëse kishin ndodhur të njëjtën ditë, EULEX-i e dënoi edhe sulmin e serbëve në lagjen Kroi i Vitakut. Përveç gurëve, ata kishin hedhur edhe granatë dore dhe kishin shtënë me armë zjarri kundër shqiptarëve që po ndërtonin shtëpinë e tyre. Mirëpo, veprimi i tyre nuk u quajt kriminal. E qartë: nuk mund të quhet kriminal veprimi i atyre të cilët nuk do të arrestohen e lëre më të gjykohen a dënohen. Predikati "kriminal" është i rezervuar për ata me të cilët është paramenduar se duhet të merren policia, gardianët, prokuroria, gjyqësia. Për pasojë, Policia e Kosovës dhe EULEX-i përfunduan në anën e atyre që nuk duan t'i arrestojnë, në anën e serbëve të veriut. Shqiptarit në Kroin e Vitakut iu ndërprenë punimet. U realizua qëllimi i strukturave paralele në veri të cilat s'kanë nevojë të protestojnë më meqë Policia e Kosovës dhe EULEX-i po e kryejnë punën e tyre atje. Të martën, përveç që në Prishtinë u arrestuan 21 aktivistë kurse në Mitrovicë askush, u tha se në Prishtinë janë lënduar dy protestues e tre policë, kurse në Mitrovicë janë lënduar pesë shqiptarë e dy serbë. Tre policët e lënduar në Prishtinë dhe dy serbët në Mitrovicë janë e njëjta kategori. Ata janë rrenë. Sikur t'i kishim tre policë dhe dy serbë të lënduar a mendoni se nuk do t'i shihnim në televizion? Patjetër që do t'i shfaqnin pafund herë. Por, s'kishin se ku t'i merrnin - i lajmëruan policët dhe serbët e lënduar sa për ta zbutur pak disbalancën. Kjo mënyrë tradicionalisht është përdorur në protestat e Lëvizjes sonë. Çdo herë kur intervenimi i policisë ka qenë brutal dhe ka pasur të lënduar, të plagosur ose edhe të vrarë nga radhët e protestuesve, policia i ka dërguar në spital nja dy a tre policë si kinse të lënduar. Ata llogarisin në etikën e mjekut, se ai nuk mund t'i thotë atij që është lajmëruar si pacient se nuk ka asgjë. Së paku, do t'ia përshkruajë një tronditje psikike (e cila në rastin e policëve jo vetëm që mund të jetë prezente, por mund të jetë pak më e vjetër edhe se vetë polici). Po çfarë bën ndërkohë ky Hashim Thaçi ynë i gjorë? Duket se i ka ra firma: këto ditë s'po i shiten aq prerjet e shiritave me rastin e përurimit të kanalizimeve. Nëse dikur ai kryesonte "Qeverinë në Hije" tash, pasi që erdhi në pushtet, e kryeson "Qeverinë në Frigorifer". Bashkë me Sejdiun tha që nuk do të ketë më debat për Protokollin. Thuajse debati na paska qenë problemi, e jo Protokolli. Ata ia dhanë fjalën Yves de Kermabonit, që nëse reagimi i tyre deri më tani kishte qenë verbal e deklarativ, tash e tutje nuk do të jetë as i tillë. S'ka më debat. S'ka më diskutime. Me fjalë të tjera, Kermaboni ka nevojë të punojë në qetësi drejt nënshkrimit të Protokollit me Serbinë. Institucionet e Kosovës deklaruan se nuk marrin përgjegjësi për vendimet që nuk i kanë marrur ata. Është e qartë se nuk mund të marrin përgjegjësi për vendimet e veprimet e tyre meqë nuk kanë marrur kurrfarë vendimesh e nuk kanë ndërmarrur kurrfarë veprimesh. Kanë dhënë deklarata për media që nuk paraqesin vendime institucionale dhe të cilat nuk janë pasuar me kurrfarë veprimesh. Mirëpo, institucionet e një shteti nuk kanë përgjegjësi vetëm për vendimet e veprimet e tyre, por edhe për mungesë vendimesh e veprimesh. Përgjegjësia nuk ka të bëjë vetëm me atë çfarë ke bërë, por edhe me atë që nuk e ke bërë (e është dashur ta bësh). Ngrirja institucionale në Kosovë është e thellë. "Mos ma përmendni 6 Pikëshin. Mos ma përmendi Protokollin". Kështu tingëllon Hashim Thaçi, i cili beson se duke mos i(a) përmendur 6 Pikëshin e Protokollin, do të vërtetohet që këto janë të vdekura, se i takojnë vetëm të kaluarës. Për Thaçin, sikurse për Rugovën përgjatë viteve të '90-ta, shteti është përshtypje subjektive. Nëse besojmë se kemi shtet, atëherë kemi shtet. Anipse s'kemi ushtri, s'kemi zhvillim ekonomik, s'kemi sovranitet, s'e kontrollojmë dot territorin e as resurset natyrore. Me rëndësi është që ne të besojmë se kemi shtet! Pra, sipas Thaçit, 6 Pikëshi e Protokolli kanë vdekur dhe nëse i sheh të gjalla nuk duhet t'iu besosh syve e mendjes tënde. Hë për hë, me 21 muaj burg u dënuan aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Dënimi vazhdon. Ky është vetëm paraburgimi. Pra, fillimisht, gati dy vjet burg u ndanë për nja 50.000 euro. Jo vetëm për 50.000 euro. 50.000 euro është fakti i ftohtë për të cilin fola në fillim. Aq shumë janë frikësuar EULEX-i e Qeveria nga aksioni ynë protestues saqë tash duan t'i frikësojnë të tjerët. Ata duan t'i bëjnë të tjerët si vetja e tyre. Ky dënim nuk ka të bëjë aq me 21 veta, por me 2 milionë qytetarë minus këta 21 veta. Më parë sesa t'i ngujojë 21 veta në burg, ky dënim synon t'i ngujojë dy milionë njerëz, minus 21 veta. Ku t'i ngujojë kështu? Në shtëpitë e tyre e para ekraneve televizive ku defilojnë zgërdhirjet e krerëve politikë. Të ngujuarit në krye të shtetit duan t'i ngujojnë të gjithë qytetarët. Ata duan t'i bëjnë të tjerët si vetja e tyre.

KOMENTE