Prishtinë, 28 gusht, NOA - Pas kundërshtimit të ashpër të prerë të Prishtinës për protokollin për bashkëpunim policor me Serbinë, drejtues të EULEX në Kosovë pohojnë se do të presin udhëzimet e Brukselit zyrtar se si të veprojnë më tutje për këtë marrëveshje me palën serbe.
Ka qenë zëdhënësja e EULEX-it në Prishtinë, Karin Limdal, e cila duke folur për rezultatet e takimit të përfaqësuesve të BE-së me udhëheqësit kosovarë për çështjen e protokollit, ka thënë se Pieter Feith dhe Yves de Kermabon tani do ta njoftojnë Brukselin dhe vendet anëtare për rezultatet e këtij takimi dhe EULEX nuk i mbetet gjë tjetër veçse të presë reagimin e shteteve anëtare. Sipas saj, EULEX ka bërë marrëveshje teknike për shkëmbim informacionesh jo vetëm me Beogradin, por edhe me vendet tjera të rajonit dhe se mbetet i hapur për kompromis. "Qëllimi ynë është që të gjejmë zgjidhje, sepse ne kemi nevojë për shkëmbim të informacioneve", ka thënë Limdal. Nga ana e tyre, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë ritheksuar qëndrimin e prerë në kundërshtim të Protokollit të bashkëpunimit të EULEX me Serbinë dhe theksuan mbyllin përfundimisht çdo debat dhe bisedë në këtë temë. "Institucionet e Kosovës janë institucione sovrane dhe rrjedhimisht marrin vendime sovrane ne pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Republika e Kosovës nuk merr asnjë obligim dhe përgjegjësi për çështjet për të cilat nuk ka vendosur në mënyrë sovrane", kanë pohuar ata.
n.e/NOA